Qeveria e Moldavisë miratoi sot një vendim për pezullimin e Traktatit të pas Luftës së Ftohtë për Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë ose CFE.

Duke folur në një takim të qeverisë në kryeqytetin Kishinau, Sekretari i Shtetit në fushën e Politikës së Mbrojtjes, Valeriu Mija tha se vendimi për të miratuar pezullimin e marrëveshjes së kontrollit të armëve të vitit 1990 erdhi për shkak të "ndryshimit themelor" në situatën në Evropë.

"Duke marrë parasysh ndryshimin rrënjësor të rrethanave që ndodhën në krahasim me ato që ekzistonin në kohën e përfundimit të Traktatit për Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë, nënshkruar në Paris më 19 nëntor 1990, Moldavia e pezullon traktatin me mundësinë për ta kthyer në zbatim më vonë", tha Mija pas mbledhjes së qeverisë.

Ai theksoi se 21 vende deri më tani kanë vendosur të pezullojnë traktatin që nga nënshkrimi i tij. Vendimi i qeverisë do t'i dorëzohet parlamentit dhe më pas presidentes Maia Sandu. Nëse miratohet, qeveria do të njoftojë nënshkruesit e tjerë të traktatit.

Vendimi do të hyjë në fuqi 150 ditë pas këtij njoftimi zyrtar. Traktati CFE u nënshkrua nga përfaqësues të 16 anëtarëve të NATO-s dhe gjashtë anëtarëve të Organizatës së Paktit të Varshavës.

Ai përfshin pesë lloje të armëve dhe pajisjeve ushtarake – tanke luftarake, automjete të blinduara luftarake, artileri, avionë sulmues dhe helikopterë sulmues./aa