Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të uruar dhe shprehur mirënjohjen ndaj mësuesve të qytetit me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.Përmes një letre, që çdo mësues dhe mësuese ka marrë mëngjesin e sotëm, ai ka përshëndetur dhe vlerësuar kontributin dhe rolin e tyre të pazëvendësueshëm në edukimin e brezit të ri.

“Njëlloj si mjeshtrit dikur, mësuesit sot janë të pazëvendësueshëm, misioni i tyre i paçmuar. Nuk ishte e rastit që një shkrimtar i madh si Albert Kamyja, kur mori Nobelin, i shkroi mësuesit: “Kur më erdhi lajmi, mendimi im i parë, pas atij për nënën time, ishte për ju. Pa dorën e ngrohtë që i zgjatët fëmijës së varfër që isha unë, pa mësimet dhe shembullin tuaj, nuk do të kishte ndodhur asgjë nga e gjithë kjo”. Sot, në dorën e njërit apo tjetrit mësues të Tiranës, në mos një Kamy, duhet të jetë dikush me potenciale të jashtëzakonshme, të cilit i lypset dora, mësimet, shembulli që ia jepni pa ngurrim, kam bindjen, sikurse Zhermeni Kamysë. E njëherësh, kam bindjen se, si mësues me M të madhe, përkushtimin nuk ia mohoni asnjë nxënësi. Ata e meritojnë, që të gjithë. Nesër do t’ua shpërblejnë duke shkëlqyer, secili në mënyrën e vet”, thekson Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh mirënjohjen për punën e tyre në rritjen e qytetarëve të denjë për kryeqytetin. Letra përfundon me urimet për mësuesit për Diten Kombëtare të 7 Marsit.

“Nuk do të vijoj me listën e shkollave që kemi transformuar apo ngritur nga e para. Është shumë e gjatë për një letër të shkurtër, përmes të cilës desha t’ju përgëzoj, falenderoj dhe dëshmoj kënaqësinë e bashkëpunimit. Se bashkëpunim është: Ne bëjmë shkollat, ju nxirrni ekselentët, diademat e kurorës së Kryeqytetit Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut. Por, sot kryefjala jeni ju!

Në ditën tuaj, do t’i kthehem Kamysë për të shprehur me fjalët e tij, bindjen se me ju, me dorën e ngrohtë që u zgjasni, me mësimet dhe shembullin tuaj, nxënësit e sotëm do të bëhen qytetarët e denjë që Tirana Jonë meriton. Gëzuar 7 Marsin”, nënvizon kryebashkiaku Veliaj në letrën dërguar mësuesve. Këtë 7 Mars.

Letra e plotë

Të dashur mësues,
Një jetë e tërë, një përjetësi madje, e ka shenjuar figurën e mësuesit si më të rëndësishmen për njerëzimin. Më parë ishin mjeshtrit dhe dishepujt, sot janë mësuesit dhe nxënësit. Njëlloj si mjeshtrit dikur, mësuesit sot janë të pazëvendësueshëm, misioni i tyre i paçmuar. Nuk ishte e rastit që një shkrimtar i madh si Albert Kamyja, kur mori Nobelin, i shkroi mësuesit: “Kur më erdhi lajmi, mendimi im i parë, pas atij për nënën time, ishte për ju. Pa dorën e ngrohtë që i zgjatët fëmijës së varfër që isha unë, pa mësimet dhe shembullin tuaj, nuk do të kishte ndodhur asgjë nga e gjithë kjo”.

Kamyja qe fatlum me mësuesin e tij. Zhermeni, mësuesi, qe fatlum me nxënësin e tij. Se nuk e kanë të gjithë rastin të edukojnë një Kamy. Por, me siguri, një mësues që meriton letër mirënjohjeje nga Kamyja, duhet të ketë qenë mësues me M të madhe, pra nuk ka shpërfillur asnjë nxënës, duhet t’ua ketë zgjatur dorën të gjithëve.

Sot, në dorën e njërit apo tjetrit mësues të Tiranës, në mos një Kamy, duhet të jetë dikush me potenciale të jashtëzakonshme, të cilit i lypset dora, mësimet, shembulli që ia jepni pa ngurrim, kam bindjen, sikurse Zhermeni Kamysë. E njëherësh, kam bindjen se, si mësues me M të madhe, përkushtimin nuk ia mohoni asnjë nxënësi. Ata e meritojnë, që të gjithë. Nesër do t’ua shpërblejnë duke shkëlqyer, secili në mënyrën e vet.

Gjatë verës që shkoi, një grup nxënësish emigrantë shqiptarë në Greqi, erdhën për herë të parë në Tiranë. Me këtë rast vizituan shkollën Kosova. “Ne në Greqi, – thanë, – nuk kemi një shkollë si kjo”. Çfarë krenarie! E provoj shpesh këtë ndjenjë, sa herë më vjen një mesazh i përsëritur: “Do të kisha dashur të mësoja në një shkollë si kjo!”. Janë mesazhe ish nxënësish që shohin shkollat e tyre me fytyra të reja. Ato të ish nxënësve të “Asim Vokshit” i kam të freskëta, por mirënjohës, i ruaj edhe mesazhet e ish nxënësve të “Partizanit”, “Sami Frashërit” e me radhë…
Nuk do të vijoj me listën e shkollave që kemi transformuar apo ngritur nga e para. Është shumë e gjatë për një letër të shkurtër, përmes të cilës desha t’ju përgëzoj, falenderoj dhe dëshmoj kënaqësinë e bashkëpunimit. Se bashkëpunim është: Ne bëjmë shkollat, ju nxirrni ekselentët, diademat e kurorës së Kryeqytetit Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut. Por, sot kryefjala jeni ju!

Në ditën tuaj, do t’i kthehem Kamysë për të shprehur me fjalët e tij, bindjen se me ju, me dorën e ngrohtë që u zgjasni, me mësimet dhe shembullin tuaj, nxënësit e sotëm do të bëhen qytetarët e denjë që Tirana Jonë meriton.

Gëzuar 7 Marsin!

Erion Veliaj Kryetari i Bashkisë Tiranë