Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla mori pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e kremtimit të 100-vjetorit të lindjes së aktorit të madh Kadri Roshi, Artist i Popullit, Nderi i Kombit.
 
Nikolla vlerësoi se Roshi është një artist që i përkushtoi kombit dhe kulturës shqiptare maksimumin e talentit dhe energjive, që i dha shpirtin dhe atdhedashurinë, si rrallëkush artist e patriot.
 
“Një kolos i artit, legjendë e teatrit dhe filmit, që ka krijuar një shkollë për teatrin dhe kinematografinë dhe merituar një vend nderi në panteonin e kulturës shqiptare. Për mbi gjashtë dekada në skenë dhe ekran, ka krijuar një galeri rolesh nga më jetësorët. Për çdo ngjarje tipike të jetës së shqiptarëve, do të gjejmë një personazh të krijuar nga Kadri Roshi”, u shpreh ajo.
 
Nikolla theksoi se “njerëzit që Mjeshtri krijoi me rolet e tij janë fiksuar në kujtesën dhe janë bërë pjesë e jetës së brezave të shqiptarëve, të brezave të kaluar, por edhe të brezave që vijnë”.