Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka mbajtur ceremoninë e pranim-dorëzimit të ultrazërit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Komunën e Dragashit.
Në këtë ceremoni mori pjesë koordinatorja e TIKA-s në Prishtinë, Fulya Aslan, ambasadori i Türkiyes në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, mjekë të QKMF-së, kreu i Konsullatës së Përgjithshme Turke në Prizren, Celal Dogan dhe mysafirë të tjerë.
Ambasadori Sabri Tunc Angılı u shpreh i kënaqur për përkrahjen e ofruar për Komunën e Dragashit, duke shtuar se është i gëzuar që ky donacion ka ardhur në këto ditë festive për qytetarët.
Kryetari Xheladini e vlerësoi si shumë të rëndësishëm për nevoja të QKMF-së dhurimin e këtij ultrazëri. Ai tha se përfitues të këtij donacioni janë gratë e të gjitha komuniteteve të kësaj komune.
"Me këtë ultrazë modern, mjekja gjinekologe do të ketë mundësinë më të lehtë për të zbuluar shumë sëmundje në fazën e hershme, ku dhe suksesi i shërimit është shumë më i madh", tha Xheladini.
Ky donacion erdhi si kërkesë e Grupit të Grave Asambleiste të Kuvendit të Komunës së Dragashit./aa