Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian (BE), Miroslav Lajçak, për të diskutuar për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë.

Në njoftimin e Presidencës pas takimit thuhet se Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës si palë konstruktive në këtë proces, derisa theksoi se Marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023 duhet të zbatohen plotësisht.

Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat siç tha ajo, janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog.

Në këtë drejtim, presidentja kosovare përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, duke miratuar edhe udhëzimin administrativ, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi.

“Sa i përket draftit të statutit të Asociacionit, Presidentja ritheksoi se institucioni i vetëm që mund ta interpretojë përfundimisht përputhshmërinë e këtij akti me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese e Kosovës, gjersa po ashtu i shprehu shqetësimet e saj lidhur me disa dispozita të këtij drafti, të cilat mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në këtë takim u përshëndetën të arriturat e fundit sa i përket zbatimit të marrëveshjes për energji si dhe asaj për targa, si hapa drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë./aa