Forcimi i Mekanizmit të Koordinuar të Referimit i ngritur në 61 bashki të vendit mundëson që çdo vajzë apo grua e dhunuar të ndjehet e mbrojtur dhe të marrë shërbimin e duhur.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu publikoi historinë e Ada Pupës, e cila ka gjetur forcën dhe guximin të denoncojë dhunën, dhe falë mbështetjes së strukturave tona, të fitojë lirinë e të integrohet në shoqëri.

“Jam një nënë me 3 fëmijë. Pas martesës filloi dhuna në familje. Nuk po duroja dot më dhe vendosa të largohesha bashkë me fëmijët“, thotë ajo.

Mentaliteti i trajtimit të gruas si plaçkë apo send ekziston akoma, ku burri shihet si është kryefamiljari që duhet të sigurojë të ardhura, ndërsa gruaja të bëjë vetëm punët e shtëpisë dhe të mos marrë vendime si për fëmijët dhe familjen.

“Dhuna është një fenomen i paparashikueshëm. Ndaj jemi në dispozicion 24 orë në 7 ditë të javës. Institucioni kryesor ku paraqiten është policia. Detyra kryesore që ka një punonjës police i zonës është mbikëqyrja e personave kontigjent për dhunë“, shprehet punonjësja e policisë pranë Zyrës së Kallëzimeve.

Ndërsa u bëhet apel që të kërkojnë edhe ndihmë mjekësore.

“Çdo person i dhunuar është i traumatizuar në momentin e parë. Ftoj të gjithë personat e dhunuar, vajza, djem fëmijë, t’i drejtohen shërbimit mjekësor. Ka një staf të kualifikuar, kanë mundësi të kenë privatësinë e tyre, sigurinë e tyre dhe i gjithë stafi është i përkushtuar për t’i ofruar shërbim”, shprehet mjeku.

“Së bashku mund t’ia dalim të kemi një shoqëri të çliruar nga dhuna, kultura e heshtjes apo steriotipet, sikurse kjo grua e cila ka gjetur forcën dhe guximin të denoncojë, dhe falë mbështetjes së strukturave tona, të fitojë lirinë e të integrohet në shoqëri”, u shpreh ministrja Koçiu./ata