Në rrugën e Dukagjinit vijojnë punimet për ndërtimin e këtij aksi kaq të rëndësishëm, një investim madhor në infrastrukturë që do të ndikojë në zhvillimin e turizmit në rajonin e Shkodrës dhe të Tropojës.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ka publikuar pamje nga punimet që po kryhen në rrugën Prekal-Kir që financohet nga qeveria shqiptare për bashkinë e Shkodrës.

Punimet vijojnë me intensitet në segmentin e parë të rrugës së Dukagjinit për të sjellë një impuls të ri zhvillimi turistik e agro-turistik për një zonë mahnitëse.

Projekti i hartuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit që financohet nga qeveria me vlerë prej 200 milionë lekë, parashikohet ndërtimi i veprave të artit përgjatë këtij segmenti me gjatësi 17 km.

Ky projekti i fazës së parë konsiston në sistemimin, profilimin e rrugës si dhe vendosjen e tombinove dhe mureve mbajtës nga Fshati Prekal deri në hyrje të Fshatit Lotaj, si dhe në restaurimin e veprave ekzistuese të artit dhe shtimin e tyre aty ku janë të domosdoshme.

Me një gjerësi të përgjithshme prej 5.00 metra, rruga do të ruajë aksin ekzistuese.

Rruga e Dukagjinit apo aksi Prekal-Lotaj-Ndërlysaj (Theth) është një ndër akset kryesore me të rëndësishme të qarkut Shkodër. Aksi përshkon të gjithë zonën e Dukagjinit dhe një degëzim në lindje të këtij aksi (Lotaj-Lekbibaj) lidh zonën dhe Shkodrën me Lekbibajn në Tropojë e në vijim me Bajram Currin, luginën e Valbonës dhe më tej Gjakovën në Kosovë.

Ky aks i gjatë dhe i vështirë malor është shumë i rëndësishëm për kompletimin e rrjetit rrugor të Alpeve në funksion të zhvillimit të turizmit.

Nga ana tjetër, rruga lidh komunitetet e fshatrave  të ish-komunave Kir, Shosh e Shalë me Shkodrën duke mundësuar rigjallërimin social dhe ekonomik të tyre./ata