Policia izraelite dislokoi forca shtesë sot rreth kompleksit të Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar.
Dislokimi vjen ndërsa mijëra palestinezë përgatiten të falin namazin e parë të teravisë sot me rastin e Muajit të Ramazanit.
Sipas Kanalit izraelit 12, vendosja e forcave policore vjen mes shqetësimeve të sigurisë në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor të pushtuar gjatë Ramazanit.
Mesazhe me tekst u janë dërguar në telefona banorëve të Kudsit, duke i paralajmëruar kundër përfshirjes në çdo trazirë, tha transmetuesi.
Fletëpalosje janë shpërndarë gjithashtu në lagjet lindore të Kudsit Lindor, duke i paralajmëruar banorët kundër “trazirave” gjatë Ramazanit.
Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, duke thënë se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Ai aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, një hap ky që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.
Tensionet janë rritur në të gjithë Bregun Perëndimor që kur Izraeli filloi një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake kundër Rripit të Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi tetorin e kaluar.
Të paktën 420 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe më shumë se 4.600 të tjerë janë plagosur nga të armët izraelite në këtë rajon, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza, ku janë vrarë më shumë se 31.000 njerëz që nga tetori./aa