Në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës, palestinezët falën namazin e parë të teravisë me rastin e Muajit të Ramazanit pranë rrënojave të Xhamisë Faruk, e cila është shkatërruar nga bombardimet izraelite, raporton Anadolu.
Shumica e xhamive në Gaza që janë shënjestruar nga sulmet izraelite janë në gjendje të papërdorshme.
Një prej tyre është edhe Xhamia Faruk në qytetin Rafah, në jug të enklavës së Gazës ku palestinezët janë zhvendosur duke kërkuar strehë për shkak të sulmeve intensive izraelite. Ka mbetur në këmbë vetëm minarja e xhamisë, ndërsa objekti është shndërruar në gërmadha nga bombardimet.
Pavarësisht motit të ftohtë, qindra palestinezë erdhën në zonën ku ndodhen rrënojat e xhamisë për faljen e teravisë.
Meqenëse Izraeli ka ndërprerë energjinë elektrike në Gaza dhe nuk ka lejuar hyrjen e karburantit, palestinezët e falën namazin e teravisë duke përdorur drita portative dhe altoparlantë.
Shumica e xhematit e falën namazin në errësirë për shkak të dritës së pamjaftueshme.
Më shumë se 500 xhami, të cilat u bombarduan në sulmet e ushtrisë izraelite në Gaza që nga 7 tetori 2023, janë shndërruar në gërmadha.