Presidenti i SHBA-së, Joe Biden deklaroi se do të punojnë pa ndërprerje për të siguruar armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës që do të zgjasë të paktën 6 javë.

Biden, i cili u kritikua ashpër sidomos nga arabët dhe muslimanët amerikanë për mbështetjen e fuqishme ndaj Izraelit, ka bërë një deklaratë me shkrim me rastin e Ramazanit.

Duke thënë se ai feston ditët e shenjta të të gjithë muslimanëve, Biden tha se është "i vetëdijshëm për vuajtjet në Gaza". "Lufta në Gaza solli vuajtje të tmerrshme për popullin palestinez. Më shumë se 30 mijë palestinezë, kryesisht civilë u vranë, përfshirë mijëra fëmijë", tha ai.

Biden tha se mbi 2 milionë palestinezë janë zhvendosur dhe se këta njerëz kanë nevojë urgjente për ushqim, ujë të pastër, ilaçe dhe strehim. Duke kujtuar se SHBA-ja ka ndërmarrë veprime për ndërtimin e një porti të përkohshëm në bregun e Gazës, Biden shtoi se do të përpiqen t'i dërgojnë Gazës të gjitha llojet e ndihmave nga ajri, toka dhe deti.

"Si SHBA, ne do të punojmë pa ndërprerje për të siguruar armëpushim të menjëhershëm që do të zgjasë për të paktën 6 javë, si pjesë e marrëveshjes për lirimin e pengjeve", tha presidenti amerikan.

Në deklaratën e tij ai potencoi se zgjidhja me dy shtete është e vetmja zgjidhje e përhershme politike për problemin Izrael-Palestinë.

"Islamofobia nuk ka absolutisht vend në SHBA. Ky vend u themelua mbi lirinë e besimit dhe kontributet e të gjithë emigrantëve, përfshirë emigrantët muslimanë", tha Biden duke shtuar se për herë të parë gjatë mandatit të tij përgatitën Strategjinë Kombëtare për Luftimin e Islamofobisë.

Përderisa Biden në deklaratat e tij thotë se po punojnë shumë për një armëpushim në Gaza, ai nuk ka ndërmarrë asnjë hap deri më tani në lidhje me ndihmën e armëve që ata dërguan në Izrael./aa