Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha se ukrainasit që mbajnë në duar flamurin blu dhe të verdhë të Ukrainës, nuk lejojnë që ushtria ruse të përparojë drejt Evropës, transmeton Anadolu.

Në një videomesazh të tij, Zelenskyy iu drejtua popullit dhe bëri vlerësim lidhur me zhvillimet e fundit për luftën Rusi-Ukrainë.

Në fjalën e tij Zelenskyy tha se ushtria ruse vazhdon sulmet e saj ajrore kundrejt Ukrainës.

Duke bërë të ditur se vazhdojnë punimet për të rritur sigurinë e hapësirës ajrore të Ukrainës, Zelenskyy tha: "Në Ukrainë do të ketë më shumë mbrojtje ajrore, po punojmë në mënyrë aktive mbi këtë".

Duke iu përgjigjur thirrjes së bërë nga lideri shpirtëror i katolikëve dhe kreu i Vatikanit, Papa Françesku për të "ngritur një flamur të bardhë" për Ukrainën, Zelenskyy shprehu se:

"Vrasësit dhe torturuesit rusë nuk mund të shkojnë më tej drejt Evropës, sepse ata po frenohen nga gratë dhe burrat ukrainas që kanë në duar armë dhe ndodhen nën flamurin blu dhe të verdhë. Dikur në Ukrainë shumë shtëpi dhe kisha kishin mure të bardha, ndërsa tashmë këto janë të djegura dhe të shkatërruara me predhat e artilerisë ruse dhe kjo flet në mënyrë shumë kuptimplotë se kush duhet të ndalet për ndalimin e luftës".

Thirrja e Papa Françeskut për hapjen e "flamurit të bardhë" për Ukrainën

Në një intervistë speciale për Radio Televizionin e Zvicrës (RSI), Papa Françesku bëri vlerësime lidhur me çështjet aktuale.

Pasi iu rikujtua se ka disa diskutime nëse Ukraina duhet të ngrejë apo jo flamurin e bardhë në luftë, Papa kishte deklaruar se "Unë besoj se është më i fortë ai që sheh situatën, mendon popullin e tij dhe tregon guximin për të ngritur flamurin e bardhë dhe për të negociuar. Sot mund të negociohet me ndihmën e fuqive ndërkombëtare. Negocimi është një shprehje e guximshme. Duhet të keni guximin për të negociuar kur shihni se keni humbur, kur punët nuk shkojnë si duhet. Keni mëdyshje, por me sa vdekje do të përfundojë kjo luftë"./ata