Për të dytin vit me radhë, pjesa e vjetër e qytetit të Prishtinës është dekoruar për nder të muajit të Ramazanit.

Me iniciativë të përbashkët të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) dhe Komunës së Prishtinës, rruga ku ndodhen tri xhami shumë të vjetra është zbukuruar me llamba, gjysmëhëna ndriçuese dhe mbishkrimin “Urime Ramazani”.

Kjo nismë u realizua për herë të parë vitin e kaluar, ku prezentë në ndezjen e dritave ishin kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, dhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama.

Ata u dakorduan që vitet në vijim kjo nismë të zgjerohet edhe në pjesë tjera të Prishtinës, duke krijuar një ambient të këndshëm për besimtarët e turistët./aa