Nëpër xhamitë në vendet e Ballkanit, besimtarët muslimanë kanë falur namazin e parë të taravisë me rastin e fillimit të muajit të agjërimit, Ramazanit.

Një numër i madh besimtarësh në kryeqytetet Shkup, Tiranë dhe Prishtinë, si dhe në qytete të tjera të rajonit, u mblodhën nëpër xhami për faljen e namazit të taravisë.

 

- Maqedoni e Veriut

Si në të gjitha xhamitë e tjera në Maqedoninë e Veriut, Xhamia Mustafa Pasha në Shkup ishte e mbushur me besimtarë muslimanë për faljen e taravisë.

Një pjesë e besimtarëve e falën namazin në oborrin e xhamisë, pas mbushjes së ambienteve të brendshme.

 

- Shqipëri

Besimtarët u mblodhën për namazin e teravisë së parë edhe në Xhaminë "Dine Hoxha" në Tiranë, duke kryer ritet fetare.

Namazi i teravisë është falur edhe në xhamitë e tjera të Tiranës, por dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë, ku janë mbledhur së bashku besimtarë të shumtë.

- Kosovë

Në të gjitha xhamitë në territorin e Kosovës, besimtarët muslimanë kanë falur namazin e teravisë së parë të Muajit të Ramazanit.

Edhe në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, “Sulltan Mehmet Fatih”, besimtarët mbushën xhaminë me praninë e tyre.

Bashkësia Islame e Kosovës edhe këtë vit, namazin e teravisë ka vendosur ta lë në një orë fikse gjatë gjithë Ramazanit, e cila do të jetë dy orë pas çeljes së iftarit.

Kreu i Bashkësisë Islame i Kosovës (BIK), Naim Tërnava, uroi gjatë ditës besimtarët muslimanë për ardhjen e Muajit të Ramazanit, duke thënë se Ramazani është muaj i lutjeve dhe adhurimeve ku shtohet dashuria për fenë dhe Zotin.

Në porosinë e tij drejtuar besimtarëve muslimanë, Tërnava u bëri thirrje atyre t’u përmbahen porosive të Zotit dhe të profetit të fundit, Muhamedit, dijetarëve të mirëfilltë dhe institucioneve fetare islame në Kosovë./aa