Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar demonstratat e vitit 1981, ku ka thënë se kjo demonstratë ka nxitur një lëvizje të tërë të aktivizimit politik, duke artikuluar politikisht pakënaqësinë e shqiptarëve të Kosovës ndaj pabarazisë në qasje të shtetit federativ të Jugosllavisë.
Kurti ka shtuar se këto demonstrata janë shtypur me dhunë nga policia e Jugosllavisë ku po rritej dominimi i Serbisë.
Tutje, Kurti ka shtuar se gjatë asaj kohe Kosova ishte lënë si zona më e pazhvilluar dhe më e prapambetur në Jugosllavi.
Kurti ka përmendur edhe të burgosurit politik, ku ka thënë se në vitin 1986 Kosova ka qenë vendi me numrin më të lartë të burgosurve politik në Evropë.
Kështu më 1986, Kosova ishte vendi me numrin më të lartë të të burgosurve politikë në Evropë. Menjëherë pas demonstratave të nisura si studentore më 1981 e të shndërruara në popullore, Universitetit të Prishtinës iu ndërrua emri dhe u quajt Universiteti i Kosovës në Prishtinë, deri më 1983 kur iu rikthye emri “Universiteti i Prishtinës”, shkroi tutje Kurti.
Gjithashtu, Kurti u shpreh se demonstratat e vitit 1981 kanë nxjerrë parullën popullore, “Kosova Republikë”.
“Demonstratat e vitit 1981 nxorën parullën popullore “Kosova Republikë”, që për vite do të vazhdonte të shkruhej edhe si shkurtesë “KR”, nëpër mure e rrugë. Ajo prodhoi një gjeneratë të re të aktivistëve politikë që vetvetiu do ta merrte emrin “Brezi ‘81”. I asaj kohe, është edhe ky punim i Hydajet Hysenit, njërit prej organizatorëve të demonstratave të ’81-shit, i titulluar “Bisha unitariste”, e i cili reflektonte dorën e zgjatur të Moskës mbi zhvillimet në Jugosllavi (vëreni kthetrat mbi Slloveni, Kroaci, Kosovë dhe Vojvodinë). Shumë nga aktivistët dhe të burgosurit e demonstratave të vitit 1981, do të angazhoheshin edhe në lëvizjen për çlirimin e Kosovës në dekadën pasuese, që kulmoi me çlirimin e Kosovës nga Serbia në qershor të vitit 1999. Në kujtim të të gjithë të vrarëve nga policia gjatë dhe pas demonstratave të vitit 1981, si dhe në shenjë mirënjohje për përpjekjet e atij brezi për lirinë e Kosovës!”, përfundon Kurti./ata