Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç, në tremujorin e katërt të vitit 2023, u rrit me 0.2 pikë përqindje, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe është ulur me 1 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e tretë 2023.
Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi Anketën Tremujore të Forcave të Punës, sipas së cilës, në tremujorin e katërt 2023, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 10.7 %.
Numri i të papunëve gjithsej është ulur me 1.2 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, dhe është rritur me 0.2 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Në tremujorin e katërt 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 75.1 %.
Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 0.4 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është ulur me 1 pikë përqindje.
Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është ulur me 0.4 pikë përqindje, ndërsa për burrat është rritur me 1.1 pikë përqindje.
Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 55.3 %.
Ky tregues është ulur me 1.5 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022, dhe është ulur me 2.2 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e tretë 2023./ata