Në Tiranë u çel ekspozita e arkitekturës “100 ide për Ballkanin Perëndimor – Medi – Tirana”, në kuadër të “Imagine Dignity”, projekt i diplomacisë kulturore austriake.

Në çeljen e ekspozitës ishin të pranishëm ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja si dhe ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Christian Steiner.

Ministri Gonxhja në fjalën e tij tha se kjo ekspozitë në vetvete shërben si një platformë e rëndësishme për të reflektuar mbi proceset e transformimit urban.

“Teksa shpalosim një panoramë të projekteve dhe vizionit që kjo ekspozitë paraqet, një vizion që është produkt i bashkëpunimit të shumë aktorëve të ndryshëm dhe krijues të spikatur për të ndryshuar mjedisin urban në mënyra mjaft kreative dhe inovative, kjo ekspozitë në vetvete shërben si një platformë e rëndësishme për të reflektuar mbi proceset e transformimit urban, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit multidisiplinor dhe përpjekjet për të adresuar sfidat e kohës sonë, siç janë ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Arti, si një shprehje e thellë e kulturës dhe identitetit, ka një fuqi të jashtëzakonshme për të frymëzuar, për të nxitur debat, dhe për të bërë ndryshime thelbësore”, tha ministri Gonxhja.

Sot, vijoi ai, nëpërmjet projekteve të prezantuara në këtë ekspozitë, ne shohim mundësitë e krijuara nga dizajni urban për të transformuar mjedisin dhe hapësirat përreth, në mënyra që kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe krijimin e qyteteve të qëndrueshme për të ardhmen.

Ekspozita që merret me arkitekturën bashkëkohore në Ballkanin Perëndimor, hulumton rolin e arkitekturës dhe dizajnit për forcimin e ndjenjës së pjesëmarrjes së qytetarëve në 6 vendet e rajonit.

Ajo shpjegon se si urbanizimi, digjitalizimi dhe mbrojtja e mjedisit mund të përmirësojnë arkitekturën. Ekspozita fillon në Vjenë, pastaj shkon në Shenzhen dhe ndalon në stacione të rëndësishme në Sarajevë dhe Tiranë. Këtu paraqitet puna e arkitektëve dhe planifikuesve të rinj të qytetit dhe nxitet bashkëpunimi për të adresuar çështjet mjedisore.

“Imagjinata është e gjitha një dizajn, por një imagjinatë që na çon në Tiranën si kryeqytetin e Mesdheut. Është shumë e rëndësishme për momentit të evidentojmë se qindra mijëra refugjatë po vijnë këtu, pritet të vijnë këtu dhe se qyteti duhet patjetër të reagojë me këto ndryshime politike dhe të lëvizjes së njerëzve, po aq sa duhet të kujdesen për kërkesat dhe thirrjeve të atyre që jetojnë prej vitesh në këtë qytet. Kjo ekspozitë shkon nga shembujt tek ato që janë konkrete duke rrëfyer 100 mundësi për t’u zhvilluar me dinjitet. Ishim në Vjenë, në Shenzhen dhe Sarajevë. Nga sot po punojmë edhe me tiparet arkeologjike të Tiranës dhe se çfarë mund të bëjmë për të transformuar realitetin”, shprehet Hubert Klumpner, kurator.

“Ju keni mundësi të shikoni në këtë ekspozitë alternativa të zhvillimit në arkitekturë. Janë shembuj që e imagjinojnë jetën në Ballkanin Perëndimor plot mundësi zhvillimi. Është një rast për të dialoguar se çfarë mund të bëjmë më mirë dhe se si mund ta vizatojmë të ardhmen në një hartë tjetër, në këtë rast të kuptojmë si mund të sjellim Tiranën në një hartë tjetër”, thotë Dr. Michael Walczak arkitekt, kurator

Ekspozita rrëfen arkitekturën bashkëkohore në Ballkanin Perëndimor, duke dhënë përmes tyre edhe një mesazh dialogu e bashkëpunimi, në emër të mjedisit dhe përmirësimit të jetës, përfshirë këtu edhe gjurmët e së shkuarës./ata