Kuvendi i Shqipërisë organizoi sot aktivitetin me temë “Roli i Kuvendit, korniza ligjore dhe struktura institucionale në luftën ndaj dhunës psikologjike me bazë gjinore”.
Ky aktivitet u realizua në bashkëpunim me “Rrjetin e Grave Barazi në Vendimmarrje”, si dhe deputetet e Aleancës së Grave Deputete të Kuvendit të Shqipërisë. Pjesëmarrëse në këtë aktivitet ishin edhe përfaqësuese të shoqërisë civile.
Qëllimi i këtij takimi është të rrisë vëmendjen dhe diskutimet përkundrejt dhunës psikologjike dhe dhunës digjitale/kibernetike me bazë gjinore, si dhe të shërbejë si një fillesë për miratimin e një nisme ligjore, e cila i shërben Kodit Penal.
Takimi u drejtua nga Etilda Gjonaj, deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe njëkohësisht Reportere e Përgjithshme e Asamblesë Parlamentare të KiE për dhunën ndaj grave.
Në fjalën e saj prezantuese, Gjonaj theksoi rëndësinë e kontributit që mund të jepet në avancimin e çështjes së dhunës psikologjike dhe dhunës digjitale.
“Po e konsideroj kështu, dhuna psikologjike dhe dhuna digjitale, pavarësisht se terminologjia në legjislacione të ndryshme dhe vende të ndryshme është e larmishme, duke filluar që nga dhuna kibernetike apo dhuna që vjen nga rrjetet sociale. Por gjithsesi, kjo është një çështje që do t’i vihet kokë në fund, kur të kemi ezauruar të gjitha diskutimet midis nesh, por edhe me shoqërinë civile dhe gazetare gra, të cilat e kanë mirëpritur një iniciativë të tillë që do të ndërmerret nga Aleanca e Grave Deputete”.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla theksoi rëndësinë e përforcimeve ligjore për të parandaluar dhe dënuar rastet e dhunës në vend, nismë e cila kërkon ndërgjegjësim të grave deputete.
Nikolla prezantoi disa propozime për shtimin në Kodin Penal të dy neneve, të cilat inkriminojnë veprimet e bullizmit kibernetik.
“Në këto propozime nisem nga premisa se legjislacioni penal aktual nuk parashikon figura të veprave penale që ndëshkojnë qartësisht e saktësisht të gjitha format e bullizmit kibernetik, të cilat shkaktojnë pasoja fatale për jetën dhe shëndetin individual e publik. Kjo mungesë ka sjellë pamundësinë e organeve ligjzbatuese të nisin procedimet për autorët, që kanë kryer veprime të tilla, duke lenë një terren të lirë për bullizuesit.
Propozimet parashikojnë dënimin e formave të veçanta të veprimeve bullizuese, si: ngacmimet e vazhdueshme në rrjete sociale, kërcënimet, publikimin e imazheve të jetës personale, degraduese në opinionin publik, publikimin apo kërcënimin për publikimin e një imazhi apo akti intim, publikimin e një imazhi intim të manipuluar.
Këto forma të bullizmit kibernetik, përveçse veprime shoqërisht të rrezikshme, gjykoj se duhet të jenë edhe të dënueshme penalisht”, tha Nikolla
Në fund të takimit u arrit në përfundimin e ndjekjes së disa hapave të mëtejshëm në kuadër të ndalimit të dhunës me bazë gjinore, si: krijimi i një dokumenti sintezë për adresimin e problematikave, ndërtimi i një plani veprimi për monitorimin e mekanizmave, fokusimin te viktimat e dhunës, si dhe adresimin e dhunës psikologjike përmes një nisme ligjore, dhe diskutimet me institucionet ligjzbatuese si Policia, Prokuroria, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Gjithashtu, deputetet e pranishme në këtë takim shprehën reflektimet e tyre në ndërmarrjen e këtyre nismave.
Deputetja Mimi Kodheli nënvizoi rëndësinë e fuqizimit të vetëveprimit të grave e vajzave për të mbrojtur të drejtat e tyre, duke u mbështetur edhe në traditat më të mira të lëvizjeve feministe.
Deputetja Klotilda Bushka u shpreh se, ka një rritje ndërgjegjësimi për çështjet gjinore, duke sugjeruar si hap të rradhës hartimin e një plani veprimi dhe analizim të raporteve të publikuara deri më tani.
Deputetja Klodiana Spahiu vendosi theksin në rikthimin në funksion të Nënkomisionit për Barazinë Gjinore, si dhe ngritjen e qendrave të emergjencës.
Përfaqësuesja e Aleancës Gjinore për Zhvillim, Mirela Arqimandriti u ndal tek analiza e dhunës në familje, e cila sugjeroi rritjen e përgjegjshmërisë për t’u zbatuar në nivele lokale, si dhe të institucionalizohen të gjitha masat kundër dhunës ndaj grave.
Edlira Çepani, nga Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje, nënvizoi rëndësinë e kësaj veprimtarie në kontekstin e fuqizimit të politikave për barazinë gjinore dhe kundër dhunës ndaj grave e vajzave.
Ndërsa akademikja Aurela Anastasi u shpreh duke vënë rëndësinë në mbështetjen e viktimave të dhunës në bazë të direktivave të Bashkimit Evropian, duke mos e kufizuar çështjen vetëm në procedurat që ndiqen nga prokuroria./ata