Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong deklaroi se Izraeli "do të vazhdojë të humbasë mbështetjen" nëse nuk ndryshon kursin e tij.

Sipas lajmit të "The Guardian", në fjalimin e saj të mbajtur në samitin e botës së biznesit të emërtuar Rishikimi Financiar Australian, Wong tha se bota është e tmerruar nga vdekjet e civilëve dhe përmasat e krizës humanitare në Gaza.

Lidhur me deklaratën e presidentit të SHBA-së, Joe Biden se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu "tashmë po i bën më shumë dëm sesa dobi Izraelit" ministrja Wong tha se "presidenti Biden ka të drejtë në vlerësimin e tij".

Pasi përsëriti se dënon sulmet e Hamasit më 7 tetor, Wong tha se bota e kuptoi Izraelin dhe ishte në solidaritet në atë kohë, por pas kundërpërgjigjes që dha Izraeli, "tashmë në Gaza përjetohet një fatkeqësi humanitare".

"Izraeli do të vazhdojë të humbasë mbështetjen nëse nuk ndryshon kursin e tij", tha Wong.

Kryediplomatja e Australisë potencoi se po punon me Kanadanë dhe Zelandën e Re për të forcuar qëndrimin e vendit të saj në çështjet që kanë rëndësi. Wong i kërkoi Izraelit "të respektojë vendimin për masat e përkohshme të dhëna në rastin që Afrika e Jugut ngriti me akuzën për gjenocid kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND)".

Në sulmet që Izraeli filloi më 7 tetor në veri të Rripit të Gazës, janë vrarë 31.112 palestinezë, mes të cilëve të paktën 13.500 fëmijë dhe 9 mijë gra si dhe janë plagosur 72.760 persona.

Nën rrënoja ende ndodhen mijëra palestinezë të vrarë ndërsa po shkatërrohet edhe infrastruktura civile duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata.

OKB-ja paralajmëroi më herët se 2.2 milionë njerëz në Rripin e Gazës nën sulmet intensive të Izraelit, ndodhen përballë rrezikut të urisë.

Sipas OKB-së, 378 mijë njerëz në Gaza përballen me urinë e nivelit 5, e cila quhet "katastrofike" ndërsa 939 mijë njerëz përballen me urinë e nivelit 4 e cila njihet si "situatë emergjente" sipas shkallës së Klasifikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC)./aa