Në sulmet që ushtria izraelite ka kryer ndaj palestinezëve që prisnin për ndihma në veri të Gazës, deri më tani janë vrarë mbi 400 persona dhe janë plagosur rreth 1.300 të tjerë.

Shefi i Zyrës për media të qeverisë në Gaza, Selame Maruf në një deklaratë me shkrim ka reaguar ndaj shënjestrimit edhe një herë nga ushtria izraelite të palestinezëve të cilët po prisnin kamionët me ndihma pranë kryqëzimit të Kuvajtit në lindje të Rripit të Gazës.

"Me sulme të tilla, Izraeli tregon se insiston në thellimin e politikës së tij të urisë kundër popullit palestinez. Krahas krimeve të gjenocidit dhe spastrimit etnik, politika e urisë e forcave pushtuese është plan parësor", tha Maruf i cili shtoi se bashkë me sulmin izraelit të ditës së sotme, numri i të vrarëve ka shkuar mbi 400 dhe se 1.300 persona janë plagosur si pasojë e shënjestrimit të palestinezëve që presin për ndihma në veri.

Ai thekson se Izraeli përpiqet të bëjë që komuniteti ndërkombëtar të përkulet para imponimeve të tij dhe se nuk është serioz për armëpushimin dhe hyrjen e ndihmës së mjaftueshme humanitare në rajon.

Në sulmin e ushtrisë izraelite e cila këtë mëngjes shënjestroi palestinezët të cilët prisnin ardhjen e kamionëve me ndihma në lindje të Rripit të Gazës, humbën jetën 7 persona ndërsa mbi 20 të tjerë u plagosën.

Më 29 shkurt, në jug të qytetit të Gazës 118 palestinezë u vranë dhe 760 u plagosën si pasojë e bombardimit dhe hapjes së zjarrit të ushtrisë izraelite ndaj palestinezëve që prisnin për ndihma humanitare në kryqëzimin Nablusi në rrugën Rashid, që lidh Rripin e Gazës nga veriu në jug./aa