Akademia e Shkencave nderoi dje në 92 vjetorin e lindjes, shkrimtarin Naum Prifti ku organizoi konferencën shkencore “Naum Prifti, mjeshtër i prozës së shkurtër”.
Pas një krijimtarie afro 70-vjeçare, ai ndërroi jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte për shumë vite sekretar i Federatës Vatra dhe redaktor i gazetës Dielli.
Në këtë aktivitet morën pjesë Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, dhe anëtarë të Kryesisë së ASHSH-së, punonjësit kërkimorë-shkencorë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, të departamenteve të letërsisë në universitete, kineastë, miq të autorit, studiues e studentë.
Të pranishme ishin edhe vajzat e Naum Priftit, Julka dhe Rafaela.
Akademiku Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike në Akademinë e Shkencave vlerësoi Naum Priftin si mjeshtër të prozës së shkurtër dhe që përfaqëson një figurë shumëdimensionale të artit dhe letërsisë shqipe si novelist, tregimtar, dramaturg, skenarist, kritik letrar, fabulist, qëmtues i folklorit, shkrimtar i dashur i letërsisë për fëmijë dhe mjeshtër i shqipërimit.
Hoxha përmendi disa nga veprat e shkrimtarit Naum Prifti dhe më pas foli edhe për dashurinë e Naum Priftit për fjalën shqipe, që mund të vërehet më së miri edhe në përkthimet mjeshtërore të dy veprave poetike të Roald Dahl-it “Gjiganti i madh i mirë”, (1990), dhe “Çarli dhe ashensori i madh prej xhami”(2018). Nga frëngjishtja, ai ka përkthyer “Princin e vogël” të Exupéry-së, kurse nga gjuha italiane ka përkthyer vëllimin me përralla “Katër stinët”.
Hoxha kujtoi më tej edhe kontributin në letërsinë për fëmijë. Duke e mbyllur fjalën e tij me një profil shumëdimensional të shkrimtarit Naum Prifti, ai theksoi, ndër të tjera, se me tërësinë e veprës së tij Naum Prifti e konfirmoi veten si një ndër vazhduesit më besnikë të traditës së rrëfimit, të krijuar në Shqipërinë Juglindore me përfaqësues të tillë si Milto Guri, Sotir Andoni etj.
“Kjo traditë rrëfimi shumë e koncentruar, e realizuar me cilësi shumë të lartë në veprat e tij, ka çuar në vlerësimin objektiv të Naum Priftit nga kritika letrare, si prijësi i shkrimtarëve shqiptarë në gjininë e prozës së shkurtër, me mesazhe të ngjeshura dhe shumë domethënëse”, tha akademiku Hoxha.
Profesor Ymer Çiraku e vlerësoi Naum Priftin si tregimtarin e kapërcimeve estetike zhanrore. Ai theksoi se Naum Prifti (1932-2023) mbetet tregimtari sui generis në letërsinë shqipe, jo vetëm për qëndrimin besnik ndaj këtij zhanri letrar, por edhe se e përfaqësoi atë në nivele të larta.
Çiraku e vlerësoi shkrimtarin për një regjistër ligjërimi të veçantë, origjinal, në letërsinë shqipe, duke e radhitur përkrah tregimtarëve të suksesshëm të kohës si Mitrush Kuteli, Dhimitër S. Shuteriqi, Sotir Andoni, Jakov Xoxa, Vath Koreshi, Teodor Laço, Faik Ballanca etj.
Çiraku bëri një analizë estetike të tregimeve dhe të galerisë së personazheve në krijimtarinë letrare të Naum Priftit. Ai i vlerësoi tregimet për intensitet të dukshëm nga aspekti rrëfimtar, si dhe për galerinë e pasur të personazheve me karaktere të përkundërt e shfaqje të befta.
“Tejkalimi” estetik i kufijve të poetikave të zhanreve, është një nga tiparet e dallueshme të këtij tregimtari”, – tha prof. Çiraku.
Çiraku e vlerësoi Naum Priftin edhe për intensitetin emocional, ritmin e brendshëm të rrëfimit, si dhe për teknikat e shtjellimit kompozicional në nivel të sigurt intuitiv, për dialogun ekspresiv dhe dukshëm të pranishëm, veçori që tërhoqën vëmendjen e regjisorëve kineastë apo atyre të teatrit, si te filmat “Pylli i lirisë” dhe “Tokë e përgjakur”, që janë mbështetur në tregimet mjaft të njohura si “Ndjekësi i kuajve”, “Litar i zjarrtë” apo edhe skenarët e filmave të tjerë si: “Kush vdes në këmbë”, “Fejesa e Blertës”, “Pika e ujit” (film vizatimor), të mbështetura po në tregimet e këtij autori dhe ku ai shpesh është dhe bashkëskenarist.
Ai tha se shkrimtari nuk reshti së krijuari e së angazhuari plot përkushtim me veprimtari letrare e atdhetare, edhe në periudhën e dekadave të fundit, kur ai u vendos që të jetojë familjarisht në SHBA, ku qëndroi deri sa u nda nga jeta, këtu e një vit më parë.
Akademiku Shaban Sinani, sekretar shkencor në Akademinë Shkencave, paraqiti një kumtesë të përgatitur së bashku me prof. Tomor Plangaricën, “Memuaristika dhe eseistika, si dy profile të vlerta të shkrimësisë së Naum Priftit”.
“Një personalitet si Naum Prifti i përket letërsisë si institucion, me kontribute të shumanshme në trashëgiminë letrare të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar e më pas: prozator në shumicën e llojeve e nënllojeve letrare, por veçmas mjeshtër i prozës së shkurtër; me 16 vëllime me tregime e 40 të tjera me novela e përralla; po aq i shquar në llojet e dramatikës, me 15 drama, komedi e dramatizime; me vend të shënjuar për skenarë të filmit artistik, dokumentar e vizatimor (jo pak, por 12 skenarë të tillë); përkthyes a shqipërues i disa kryeveprave të letërsisë botërore për fëmijë e të rinj; autor jetëshkrimesh, monografish dhe krijimesh didaktike; me disa vepra të përkthyera në gjuhët anglisht, frëngjisht, rusisht, italisht, gjermanisht, arabisht, bullgarisht, greqisht; zë vend natyrshëm në hapësirat qendrore të saj”, tha Sinani.
Përmes kumtesës së akademikut Sinani dhe prof. Plangaricës u paraqit angazhimi në publicistikë, eseistikë e memuaristikë i Naum Priftit, angazhim i nxitur fillimisht si plotësim i kërkesave të përditshmërisë e më pas bëhet pjesë e përmbushjes së misionit që shkrimtari duhet të luajë në shoqëri. Kjo trashëgimi është një anë e panjohur ose jo aq e përmendur e Naum Priftit si krijues. Ajo është produkt kulturor i përftuar kryesisht përgjatë viteve të para nëntëdhjetës; që mbeti i pabotuar, sepse ishte jashtë konteksteve kufizuese ideologjike të asaj periudhe; një produkt i përftuar me pengun e pamundësisë së botimit, por njëherazi me entuziazmin e përmbushjes së misionit të intelektualit.
Eleni Karamitri mbajti një kumtesë, ku spikati modernitetin e veprës së Naum Priftit. Ajo vuri në dukej se letërsia e Naum Priftit vjen moderne edhe në kohën e sotme, novatore dhe e pandashme nga letërsia bashkëkohore shqiptare dhe ajo e diasporës.
Dr. Kastriot Gjika përgëzoi Akademinë e Shkencave dhe kryesinë e saj për rivlerësimin e shkrimtarit, dramaturgut dhe kineastit Naum Prifti.
Ai u ndal te kontributet në letërsinë për fëmijë, të cilat sipas tij janë të nënçmuara.
Naum Prifti është angazhuar në disa zhanre të letërsisë për fëmijë, – tha Gjika, – dhe e vlerësoi shkrimtarin si një zë origjinal, mjeshtër të prozës shqipe. Dr. Gjika kujtoi veprën “Legjenda dhe rrëfime për Skënderbeun” dhe “Erë mali, erë fushe”, ku ndër cilësitë mjeshtërore të rrëfimit përmendi rrëfimin në vetën e parë dhe zgjerimin e tematikës së tregimeve të lidhura me problemet e zhvillimit psikologjik të moshës fëminore.
Ai vuri në dukje se novelat si “Cikoja dhe Beni” e tregime të tjera që lidheshin me Luftën Nacionalçlirimtare janë shprehje e mjeshtërisë së rrëfimit, ku më shumë se tema lë gjurmë niveli artistik.
Në përrallat për fëmijë, ai e quajti Naum Priftin ideator të krijimit të përrallave të kultivuara me karakter njohës dhe shkencor, si vëllimi “Përralla për një muaj”, “Pika e ujit”, që u bë film i animuar, por edhe “19 rrëfime për Skënderbeun”.
Ermira Alija paraqiti një këndvështrim të veçantë të veprës në fokusin e perceptimit të lëvizjeve dhe veprimeve në veprën e Naum Priftit, ku sintetizohen raportet psikologjike me ato emocionale, të cilat e rrisin intensitetin e tërheqjes së vëmendjes së lexuesit në shkrimet e tij.
Dr. Anxhela Çikopano mbajti kumtesën “Naum Prifti: Teatri në kohën e krizës”, të cilën e prezantoi me materiale dhe foto ilustruese nga arkivat.
Dr. Çikopano vuri në dukje se Naum Prifti në librin “Teatri në kohën e krizës” shpreh shqetësimin për zhbërjen nga të rinjtë të letërsisë së realizmit socialist, ose siç e quante ndryshe ai, të mungesës së realizmit kritik ose të realizmit afermativ. Por, nëse ka një autor puna e të cilit nuk mund të zhbëhet, tha Çikopano, edhe pse cilësohet si i autor i brezit të realizimit socialist, është pikërisht zoti Prifti. Dramaturgjia e tij është e pakohë, me vepra që mund të vihen edhe sot në skenë, gjë që nuk haset shpesh mes veprave të asaj kohe, qoftë edhe të ndaluara.
Ajo kujtoi pjesën e parë dramaturgjike “Rrethimi i bardhë”, me të cilën u çel teatri i Elbasanit, po vetë autori sado entuziast që ishte, kur e pa veprën e tij të parë të mishërohej nga aktorët në provat e tavolinës, na tregon se premiera e saj nuk e kishte ngrohur, pasi temporitmi qe i ulët dhe kërkonte shumë kohë ndërrimi i skenave.
Dr. Evalda Paci mbajti kumtesën “Receptimi në dy kohë i një autori të letërsisë për fëmijë”, ku trajtoi çështjen e imazheve e përfytyrimeve rreth një habitati që autori i letërsisë për fëmijë Naum Prifti e kishte përndarë në sa përshkrime e rrëfime të disa dimensioneve.
“Si autor i prozës së shkurtër, Naum Prifti ka transmetuar në gjallërinë përkatëse përvoja të një veçanësie të rrallë, të rezervuar nga vetë përjetimet e tij, të risjella në vite në botime e ribotime, fakt që ka pasuruar së tepërmi bibliotekën e letërsisë për fëmijë e të rinj”, tha dr. Paci.
Ajo e vlerësoi Naum Priftin si një autor që i kushtohet letërsisë për fëmijë, që bëhet vetiu transmetuesi i një bote të veçantë për lexues të një moshe gjithashtu të veçantë, të pajisur e të karakterizuar nga një kureshtje e natyrshme, gjithnjë me pikëpyetjet rreth çështjesh themelore që më tej do të përkthehen në të tjera sfida e dëshira për të ditur më shumë e më qartë.
Në fund të veprimtarisë përshëndetën dy vajzat e shkrimtarit Julka dhe Rafaela, të cilat shprehën mirënjohjen dhe falënderuan veçanërisht Kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushin, akad. Shaban Sinanin dhe akad. Gëzim Hoxhën për organizimin e veprimtarisë.
Vajzat e shkrimtarit falënderuan përzemërsisht akademikët dhe studiuesit që mbajtën kumtesat.
Veprimtarinë e mbylli administratori i minibashkisë nr. 8, Erjon Xhafa, me një surprizë të veçantë. Ai iu dorëzoi Julka dhe Rafaela Priftit, në emër të Kryetarit të bashkisë, Erjon Veliaj, “Certifikatën e mirënjohjes” për shkrimtarin Naum Prifti./ata