Venezuela ka mbyllur hapësirën e saj ajrore për të gjitha fluturimet që vijnë ose që kanë nisur për në Argjentinë, në përgjigje të konfiskimit të një avioni mallrash venezuelas në vitin 2022.
"Asnjë avion, që vjen nga Argjentina apo shkon në Argjentinë, nuk do të mund të fluturojë mbi territorin tonë, derisa kompania jonë të kompensohet në mënyrë të rregullt për dëmet e shkaktuara, pas veprimeve të paligjshme të kryera vetëm për të kënaqur kujdestarët e saj në veri", shkroi shefi i diplomacisë venezuelase Yvan Gil në llogarinë e tij në X.
Argjentina, nga ana e saj, tha se do të nisë veprime diplomatike kundër vendimit të Venezuelës.
Zëdhënësi i presidencës së Argjentinës, Manuel Adorni, në një konferencë për media tha se ata do të marrin masa brenda fushëveprimit të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) për "shkeljen" e Konventës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.
Më 12 gusht të vitit 2022, Argjentina konfiskoi një aeroplan mallrash të Venezuelës me kërkesë të SHBA-së.
SHBA-ja tha se aeroplani i mallrave i tipit Boeing 747, i blerë nga një kompani venezuelase nga kompania ajrore Mahan Air e Iranit, u sekuestrua në kuadër të "kufizimeve të eksportit në lidhje me Iranin".
Në vitin 2019, Departamenti Amerikan i Thesarit shtoi kompaninë ajrore iraniane në listën e sanksioneve për lidhjet e saj të supozuara me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike./aa