Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, tha se dërgimi i trupave të Koresë së Veriut në Rusi krijoi nevojën për të rritur bashkëpunimin BE-Kore e Jugut.

Borrell bëri deklarata për mediat para Dialogut Strategjik BE-Kore e Jugut që po mbahet në kryeqytetin jugokorean Seul.

Ai rikujtoi se BE-ja dhe Koreja e Jugut janë partnerë strategjikë, duke theksuar se kushtet aktuale, rritja e tensioneve gjeopolitike, rreziqet teknologjike dhe ndryshimet klimatike përbëjnë kërcënim për të dyja palët.

"Indo-Paqësori; transformimi digjital, ndryshimi i klimës, rritja e Kinës dhe shumë të tjera, janë në qendër të ndryshimeve globale në botën tonë të ndërlidhur. Zhvillimet në fushat si politika, ekonomia dhe siguria nuk janë të kufizuara me kufijtë gjeografikë", tha Borrell.

Sipas tij, në këtë drejtim nevojitet veprim i koordinuar. "Edhe pse zhvillimet në këtë gadishull dhe në Ukrainë janë shumë larg njëra-tjetrës, ato janë të ndërlidhura, duke përfshirë vendosjen e trupave të Koresë së Veriut në Rusi, gjë që rithekson rëndësinë e agjendës sonë të përbashkët të sigurisë. Prania e trupave të Koresë së Veriut në Rusi rrit nevojën tonë për të punuar së bashku", theksoi kryediplomati evropian.
 

- Bashkëpunimi Kore e Veriut-Rusi

Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi vizitë zyrtare në Korenë e Veriut në qershor dhe nënshkroi "marrëveshjen gjithëpërfshirëse të partneritetit strategjik" midis palëve.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në një deklaratë më 25 tetor, njoftoi se kanë mësuar se Rusia do të vendoste ushtarë të Koresë së Veriut në zonat e para luftarake më 27-28 tetor.

SHBA-ja ka njoftuar se në Rusi ndodhen rreth 10 mijë ushtarë të Koresë së Veriut dhe se 8 mijë prej tyre janë dislokuar në rajonin e Kurskut afër kufirit me Ukrainën./aa