Sulmet e Izraelit në enklavën e rrethuar palestineze të Gazës “duhet të ndalen”, tha ministri i Jashtëm spanjoll sot në Jordani.
Duke theksuar tragjedinë e më shumë se 30.000 vdekjeve në konflikt, duke përfshirë rreth 13.500 fëmijë, Jose Manuel Albares tha se komuniteti ndërkombëtar nuk mund të qëndrojë indiferent dhe duhet të veprojë për të arritur një armëpushim urgjent.
“Vdekjet nuk janë shifra, ata janë njerëz prej mishi e gjaku dhe ne nuk mund ta harrojmë këtë”, tha ai gjatë një konference të përbashkët shtypi së bashku me homologun e tij jordanez Ayman Safadi.
“Safadi dhe unë kemi rënë dakord që nga fillimi për nevojën për një armëpushim që lehtëson hyrjen e ndihmës humanitare për të ndaluar popullatën civile të vdesë nga bombardimet ose për shkak të urisë”, tha ministri i Jashtëm spanjoll.
Albares është në turneun e tij të tretë në Lindjen e Mesme muajt e fundit. Më vonë gjatë ditës, ai do të vizitojë Egjiptin.
Ndërsa ishte në Jordani, ai theksoi gjithashtu nevojën që të gjitha palët, përfshirë Izraelin, të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin apo në kufirin e drejtësisë”, shtoi ai.
Gjatë këtij turneu, ai po mbledh mbështetjen jo vetëm për një armëpushim, por për një konferencë ndërkombëtare të paqes.
“Ne duhet të punojmë politikisht në mënyrë që sapo të ndodhë armëpushimi urgjent, kjo të jetë hera e fundit që shohim këtë spirale dhune dhe tmerri”, tha ai, duke shpjeguar se vizioni i tij nuk është të presë një tjetër Marrëveshje të Oslos ku shtetet “diskutojnë mbi parametrat e paqes”.
“Kjo është që një herë e mirë të zbatojmë zgjidhjen me dy shtete; në mënyrë që një shtet realist palestinez të ekzistojë në sytë e komunitetit ndërkombëtar”, tha ai.
Safadi ra dakord se krijimi i një shteti sovran palestinez “është mënyra e vetme për të arritur sigurinë dhe stabilitetin në rajon”.
Albares shtoi se Spanja dhe Jordania janë në një pikë të lartë në marrëdhëniet dypalëshe. Vendet nënshkruan gjithashtu dy marrëveshje të reja bashkëpunimi lidhur me konsultimet politike dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet instituteve diplomatike.
Ai tha gjithashtu se Spanja do të bashkëpunojë në një projekt për shkripëzimin e ujit dhe se një pjesë e fondeve të shtuara të Spanjës për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë do të shkojë për mbështetjen e 2,5 milionë refugjatëve palestinezë në Jordani./aa