Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 në mënyrë që 24 hektarë tokë t'i kalojnë në pronësi Manastirit të Deçanit, për shkak se siç tha ai Kosova është kushtëzuar me këtë kërkesë për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KE).

Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës tha se pala kosovare ka bërë çmos për të shtyrë përpara procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por u kushtëzua nga Asambleja Parlamentare me dy opsione: zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për t'u mundësuar ecja tutje me qëllim të anëtarësimit të Kosovës në KE, apo heqja e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit.

Sipas Kurtit, raporti i Komitetit Përgjegjës i Asamblesë Parlamentare në vlerësimin e kuadrit institucional dhe ligjor, të drejtave të njeriut dhe standardeve të qeverisjes konstatoi se Kosova është një shtet me kuadër të qëndrueshëm të institucioneve demokratike, por, ka listuar edhe disa kushte ndër të cilat ka qenë edhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për Manastirin e Deçanit të vitit 2016.

"U bindëm që duhet të zgjedhim njërin opsion, nuk ka një zgjedhje të tretë. Si kryeministër i Republikës së Kosovës nuk na pëlqen ai vendim i çuditshëm dhe i padrejtë e ndërkohë ka edhe çështje tjera gjyqësore pezull për këtë çështje, teksa ne si Qeveri nuk kemi më mjete legale e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese", theksoi Kurti.

Ai tha se pavarësisht kësaj, nuk do ta ndryshojë qëndrimin e tij ndaj këtij vendimi të dëmshëm të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, ndërsa theksoi se në anën tjetër "nuk ka dyshim se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të ishte vetëm fitore historike por edhe një hap gjigant për republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në BE".

"Për ta arritur një qëllim shumë më madhor që ja kemi borxh shtetit e që hapë mundësi të papara më herët, ne duhet bërë një hap përpara me maturi dhe përgjegjësi si një vend i pavarur dhe sovran. Andaj, sot i kemi thënë Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kurse ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese për këtë çështje, Këshillit të Evropës", theksoi Kurti.

Një vendim të tillë të Qeverisë e përshëndetën edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas një takimi të mbajtur midis tyre në të njëjtën kohë me mbledhjen e qeverisë.

Kërkesa për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është proceduar tutje në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në maj të vitit 2023.

Më 22 mars të këtij viti është mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit në Këshillin e Evropës, ndërsa në mes të prillit mbahet Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe në fund të majit të këtij viti në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në Këshillin e Evropës, do të vendoset pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në KE.

Manastiri i Deçanit i cili ndodhet në pjesën perëndimore të territorit të Kosovës, që nga periudha e pasluftës kërkon që të marrë në pronësi një sipërfaqe prej rreth 24 hektarësh përreth objektit të tij fetar.

Pronësia e Manastirit të Deçanit mbi këta 24 hektarë tokë u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në maj të vitit 2016./aa