Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka shpërndarë pako ushqimore për familjet e fëmijëve jetimë me rastin e muajit të Ramazanit.
Në aktivitetin e ndarjes së ndihmave në mjediset e Pallatit të Sportit "Farie Hoti" në Tiranë morën pjesë ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan Atay dhe koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Mustafa Ata.
Në fjalimin e tij në aktivitet, ambasadori Atay e cilësoi muajin e Ramazanit si një periudhë të veçantë që i bashkon vëllezërit, duke shtuar se me këtë rast janë mbledhur sot si dy popuj vëllezër.
Ai njoftoi se sot do të shpërndahen pako ushqimore për 900 familje.
"Gjithsej do të shpërndahen 3.500 pako. Këto dhurata, përveç Tiranës, do t'ua dorëzojmë të gjithë vëllezërve tanë në Shqipëri, nga Kukësi në veri deri në Korçë në jug, nga Berati deri në Vlorë dhe Fier, në shenjë dashurie dhe respekti të popullit turk për ju", u shpreh ai./aa