Forcat turke të sigurisë kanë "neutralizuar" 59 terroristë të PKK-së në veri të Irakut dhe Sirisë, pranë kufijve të Türkiyes, deklaroi të mërkurën ministri i Mbrojtjes Kombëtare të vendit, Yasar Guler.

"Kemi kryer operacione ajrore mbi në 71 objektiva në veri të Irakut dhe Sirisë, duke rezultuar në neutralizimin e 59 terroristëve përmes operacioneve, përleshjeve dhe mjeteve të tjera", tha ministria në një deklaratë të postuar në X.

Autoritetet turke përdorin termin "neutralizim" për të nënkuptuar se terroristët në fjalë u dorëzuan, u vranë ose janë kapur.

"Siç kemi thënë gjithmonë, lufta jonë kundër terrorizmit do të vazhdojë deri në neutralizimin e terroristit të fundit", tha Guler.

Që nga sulmi terrorist i PKK-së të premten e kaluar, ku mbetën të vrarë 12 ushtarë, sulmet ajrore turke kanë shkatërruar dhjetëra objektiva terroriste në veri të Irakut dhe Sirisë.

Të shtunën, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se Türkiye do të paguajë "çfarëdo kostoje" për të parandaluar paraqitjen e ndonjë "strukture terroriste" në veri të Irakut dhe Sirisë, të dy zonat përgjatë kufijve të Türkiyes.

Terroristët e PKK-së shpesh fshihen në veri të Irakut për të komplotuar sulme ndërkufitare në Türkiye. Ajo ka një degë siriane, të njohur si YPG.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vrasjen e më shumë se 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja./aa