Edhe pse mosmarrëveshjet për armët bërthamore vazhdojnë, në botë ka 12.512 koka bërthamore. Investimet e bëra nga shtetet në këtë fushë kanë kaluar vitet e fundit në mbi 82 miliardë dollarë.

Sipas raportit të vitit 2023 të Institutit Ndërkombëtar të Studimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI), ka 12.512 koka bërthamore në botë.

Rusia renditet e para ndër vendet me fuqi bërthamore, me 5.889 koka bërthamore. Ajo pasohet nga SHBA-ja me 5.244 koka bërthamore dhe Kina me 410 koka bërthamore.

Sipas vlerësimeve, Franca ka 290, Britania 225, Pakistani 170, India 164, Izraeli 90 dhe Koreja e Veriut ka 30 koka bërthamore.

Sipas raportit, edhe pse numri i kokave bërthamore në botë vazhdon të ulet, kjo është veçanërisht për shkak të likuidimit të kokave të papërdorura nga SHBA-ja dhe Rusia.

Reduktimi global i numrit të kokave aktive duket se po vonohet dhe numri i tyre po rritet sërish.

Dihet se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë programe të gjera për rinovimin dhe modernizimin e kokave bërthamore, sistemeve të lëshimit të raketave, avionëve dhe nëndetëseve dhe objekteve të prodhimit të armëve bërthamore.

Numri i kokave bërthamore të Kinës, i cili mendohej të ishte 350 në janar 2022, është rritur në 410 në janar 2023. Ndërsa fuqia bërthamore e Kinës nuk dihet plotësisht, një pjesë e konsiderueshme e vlerësimeve në raport bazohen në të dhënat nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së.

 

- Investimet në armatimin bërthamor janë në rritje

Në raportet e përgatitura nga Gjurmuesi i Ndalimit të Armëve Bërthamore dhe Iniciativa Ndërkombëtare për Shfuqizimin e Armëve Bërthamore (ICAN), janë publikuar investimet e bëra nga nëntë vende me armë bërthamore për zhvillimin e armëve bërthamore në periudhën 2019-2022.

Sipas të dhënave, investimet në armë bërthamore në mbarë botën kanë arritur në 72,9 miliardë dollarë në vitin 2019, 72,6 miliardë dollarë në 2020, 82,4 miliardë dollarë në 2021 dhe 82,9 miliardë dollarë në vitin 2022. Vlen të përmendet se investimet janë rritur me 10 miliardë dollarë në katër vjet.

SHBA-ja, e cila ka investuar më së shumti në armë bërthamore, është pasuar nga Kina, Rusia, Britania, Franca, India, Izraeli, Pakistani dhe Koreja e Veriut.

Ndërsa SHBA-ja ka investuar 35,4 miliardë dollarë në armë bërthamore në vitin 2019, ajo ka shpenzuar 37,4 miliardë dollarë në 2020, 44,2 miliardë dollarë në 2021 dhe 43,7 miliardë dollarë në vitin 2022.

Ndërkaq, shpenzimet e Kinës kanë qenë 10,4 miliardë dollarë në vitin 2019, 10,1 miliardë dollarë në 2020 dhe 11,7 miliardë dollarë në vitet 2021 dhe 2022.

Rusia ka shpenzuar 8,5 miliardë dollarë në vitin 2019, 8 miliardë dollarë në 2020, 8,6 miliardë dollarë në 2021 dhe 9,6 miliardë dollarë në vitin 2022 për këto armë.

Britania ka shpenzuar 8,9 miliardë dollarë për armë bërthamore në vitin 2019, 6,2 miliardë dollarë në 2020 dhe 6,8 miliardë dollarë në vitet 2021 dhe 2022.

Ndërkohë, Franca ka investuar 4,8 miliardë dollarë në armë bërthamore në vitin 2019, 5,7 miliardë dollarë në 2020, 5,9 miliardë dollarë në vitin 2021 dhe 5,6 miliardë dollarë në 2022.

Ndërsa nga arkat e Indisë për këto armë janë dedikuar 2,3 miliardë dollarë në vitin 2019, kjo shumë rezulton 2,48 miliardë në vitin 2020, 2,3 miliardë në 2021 dhe 2,7 miliardë dollarë në 2022.

Izraeli ka shpenzuar 1 miliard dollarë në vitin 2019, 1,1 miliard dollarë në 2020 dhe 1,2 miliard dollarë në vitet 2021 dhe 2022 për të zhvilluar armë bërthamore.

Ndërsa investimet e Pakistanit për armë bërthamore vlerësohen në 1 miliard dollarë në vitet 2019 dhe 2020, kjo shifër është rritur në vitin 2021 për të arritur në 1,1 miliard dollarë, duke rënë përsëri në 1 miliard dollarë në vitin 2022.

Ndërkaq, investimet Koresë së Veriut, e cila është në qendër të diskutimeve lidhur me armët bërthamore, vlerësohet të kenë qenë 600 milionë dollarë në vitin 2019, 667 milionë dollarë në 2020, 642 milionë dollarë në 2021 dhe 589 milionë dollarë në vitin 2022./aa