Në Prizren u zhvillua mbledhja e parë e redaksisë qendrore të “Enciklopedisë shqiptare” për këtë vit. Në këtë mbledhje u raportua për ecurinë e punës deri më tani si dhe u përcaktuan detyrat në vijim për redaksitë e fushave, u miratua një kalendar i sinkronizuar të punëve për vitin 2024 dhe koordinimi i takimeve në mes të redaksive të fushave.

Akad. Kraja informoi për veprimtarinë e redaksisë vendore të Prishtinës që ai drejton dhe për ecurinë e punëve në redaksitë e fushave. Akad. Kraja tha se, gjatë periudhës tremujore është punuar për përfundimin e fjalësit preliminar, që do të dorëzohet në afatin e parashikuar, deri më 31 mars.

U përshëndet fakti që shumë nga redaksitë e fushave me iniciativë kanë zhvilluar takime të përbashkëta, kanë këmbyer listat dhe po ndërveprojnë me vullnet pozitiv.

Në emër të redaksisë vendore të Tiranës akad. Shaban Sinani paraqiti një relacion me shkrim për të informuar RQ për ecurinë e veprimtarisë që nga mbledhja e fundme, për të propozuar fazat e punëve të pritshme për vitin 2024 dhe mbi këtë bazë për të miratuar kalendarin e detyrimeve dhe të mbledhjeve e takimeve ndër-redaksionale.

Në këtë mbledhje u vendos që:

  1. Deri në fund të muajit qershor redaksitë e fushave të kenë përfunduar përzgjedhjen me kritere të rrepta shkencore njësitë enciklopedike, duke ua dorëzuar listat redaksive vendore dhe më tej asaj qendrore, që ka tagrin e miratimit të tyre;
  2. Deri në muajin shtator të jetë bërë ndarja e tyre sipas rëndësisë dhe shkallës së përfaqësimit në artikuj përmbledhës, të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj. Lista e artikujve monografikë miratohet nga RQ bashkë me autorët realizues;
  3. Deri në fund të vitit të jenë propozuar nga redaksitë e punës, të jenë dakordësuar dhe miratuar autorët realizues;
  4. Redaksitë e fushës të takohen dy herë në vit, një herë në Tiranë e një herë në Prishtinë;
  5. U miratua në tërësi kalendari i takimeve dhe mbledhjeve të redaksive./ata