Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dekoroi me Medaljen Presidenciale Ushtarake për sakrificën dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm kontingjentin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) të cilët ishin pjesë e operacionit të kërkim-shpëtimit pas tërmetit shkatërrues të 6 shkurtit në Türkiye, raporton Anadolu.

 

Në një ceremoni e cila u mbajt në hollin e Kuvendit të Kosovës, Osmani tha se ushtarakët kosovarë u përfshinë në operacionet e kërkim-shpëtimit duke punuar pa u lodhur për t’i gjetur të mbijetuarit dhe duke ofruar ndihmë mjekësorë për ata në nevojë.

 

“Veprimet e tyre treguan se ushtria jonë jo vetëm që është e aftë të mbrojë kombin tonë nga kërcënimet e jashtme, por është gjithashtu e përkushtuar për t’i ofruar mbështetje edhe shteteve mike, kurdo që ata kanë nevojë. Ushtria jonë njihet për trimërinë dhe shërbimin e saj ndaj shtetit, por është e dëshmuar për të shërbyer edhe për popujt vëllazërorë dhe miq në raste të jashtëzakonshme, siç ishte edhe rasti me tërmetin në Shqipëri e këto ditë edhe me tërmetet në Türkiye dhe Siri”, theksoi Osmani.

Osmani tha se dokorata e Medaljes Presidenciale Ushtarake për këtë kontingjent të cilën e pranoi komandanti i kontingjentit Egzon Syla, është vlerësim ndaj përpjekjeve dhe përkushtimit të tyre të palodhshëm për t’u shërbyer qytetarëve pa dallim përkatësie.

 

Tutje, presidentja kosovare u tha ushtarëve se ata kanë demonstruar më të mirën e ushtrisë kosovare dhe puna e tyre pasqyron “vlerat më të larta të kombit tonë”, ndërsa theksoi se ushtria kosovare do të vazhdojë të ofrojë ndihmë dhe mbështetje humanitare për të prekurit nga termeti në Türkiye.

 

Ambasadori i Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, tha se kontingjenti i FSK-së punoi në rrethana shumë të vështira me trimëri dhe duke shpëtuar edhe jetra njerëzish.

 

Angılı tha se “jemi mirënjohës për popullin e Kosovës për ndihmën e ofruar për ne si materialisht, ashtu edhe moralisht”.

 

“Ky akt i mbështetjes tregon edhe një herë se miqësia dhe vëllazëria mes vendeve tona është e fuqishme dhe mjaft solide”, theksoi ambasadori Angılı.

 

Kontingjenti i FSK-së prej 39 pjesëtarësh që ishte për të ndihmuar në Türkiye u kthye mbrëmjen e së hënës në Prishtinë.

 

Ushtarët kosovarë arritën që në Hatay më 8 shkurt të nxjerrin fillimisht një vajzë dyvjeçare dhe nënën e saj, ndërsa më 12 shkurt ata arritën të shpëtojnë edhe një burrë të moshës 45 vjeç dhe një vajzë 13-vjeçare.

 

Një pjesë e kontingjentit të FSK-së e përbërë nga specialistë në kërkim-shpëtim urban, mjekësi emergjente dhe njësiti K9 u nisën me autorizimin e presidentes Osmani për në Hatay mbrëmjen e 6 shkurtit, ndërkaq, më 10 shkurt, u nis edhe një ekip tjetër i FSK-së i përbërë nga oficerë dhe nënoficerë për të mbështetur operacionet e kërkim-shpëtimit në zonën e operacionit.