Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “organizatat e shtypit duhet të kujdesen për të mbrojtur vlerat e lirisë, demokracisë dhe integritetit gazetaresk jo vetëm kur këto kërcënohen nga pushteti, por edhe kur minohen nga anëtarët e komunitetit të shtypit”.

Rama iu përgjigj deklaratës së Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, e cila e konsideroi të pafalshme qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj një gazetareje, gjatë prononcimit të sotëm për medie nga selia e PS-së.

“Të kërkoj falje?! Të kërkoj falje pas një gënjeshtre krejtësisht të neveritshme, kur gjithçka është në video dhe një duzinë gazetarësh dhe kameramanësh gjithashtu, janë dëshmitarë okularë të së vërtetës së thjeshtë se jo vetëm që s’kishte agresion, por të gjitha pyetjeve iu përgjigja me durim (pavarësisht disa ndërprerjeve jo etike) në një bisedë të zakonshme me shtypin dhe u largova pas një lamtumire miqësore?!”, u shpreh Rama.

Kryeministri u shpreh se “jo vetëm që nuk kam asnjë ndjesë për të kërkuar, por hedh poshtë të gjithë karakterizimin e ‘liderit që ka treguar përbuzje ndaj shtypit kritik’, që thjesht nuk është e vërtetë, sepse tani ka shumë vite që nuk angazhohem në debate të nxehta me gazetarë”.

“Përkundrazi, unë u theksoj gazetarëve të shumtë si atyre etikë, si atyre jo etikë, disponueshmërinë time të plotë për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve, megjithëse kategoria e dytë përdoret për ndërprerje të vazhdueshme të përgjigjeve, qartësisht jashtë çdo standardi”, vijoi Rama.

“Shumë keq që një “denoncim” i tillë nuk nderon vlerat e lirisë dhe as të vërtetën dhe nuk respekton viktimat e vërteta të agresioneve të pushtetit ndaj grave gazetare në mbarë botën. Sa i përket sjelljes “të pafalshme”, si një ish-pionier i shtypit të lirë në vendin tim, kur fjala ime e lirë rrezikonte dhe jetën time, ndiej detyrimin të them se organizatat e shtypit duhet të kujdesen për të mbrojtur vlerat e lirisë, demokracisë dhe integritetit gazetaresk jo vetëm kur këto kërcënohen nga pushteti, por edhe kur minohen nga anëtarët e komunitetit të shtypit. Përndryshe, shoqëritë tona demokratike do të jenë në telash”, deklaroi Rama./ata