Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se në dy vitet e ardhshme do të ketë sërish rritje pagash për mësuesit e arsimit parauniversitar.
“36 mijë e 570 mësues të arsimit parauniversitar do të përfitojnë nga vendimi historik për rritjen e pagave në masën 23-36% deri në vitin 2024”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Në videon e publikuar nga Kryeministri Rama një mësuese shprehet se “unë e dua shumë punën si mësuese, e kam pasur ëndërr që e vogël. Vitin e kaluar aplikova në portalin “Mësues për Shqipërinë” duke e ditur se nuk do të jetë e lehtë, por e di mirë që profesioni im është i shenjtë dhe i pazëvendësueshëm”.
“Të them të drejtën e kisha menduar shpesh ta lija Shqipërinë dhe të shkoja në ndonjë shtet tjetër në perëndim. Por tani jo, falë rritje së pagës që po bën qeveria dhe kryeministri Rama. Jam shumë e lumtur që një stimul i tillë vjen në kohën e duhur dhe më mundëson që të rri në Shqipëri dhe e të jap mësim, sepse e di mirë që nxënësit kanë nevojë për ne. Vendi ynë meriton një të ardhme të ndritur”, tha mësuesja.