Rreth 210 335 depistime të nxënësve janë kryer nga 2022 nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në kuadër të programit të depistimeve të shikimit dhe kujdesit dentar në shkolla.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në Ditën Botërore të Shëndetit të Gojës.

Koçiu tha se “në shkolla janë hapur 198 kabinete dentare, ndërsa 63 kabinete të reja do të hapen në 2024. Ndërsa 208 stomatologë janë punësuar në këto kabinetet dentare”.

Programi i depistimeve të shikimit dhe kujdesit dentar në shkolla u zbatua për herë të parë në vitin 2022 dhe garanton kujdesin për shikimin e fëmijëve që nga të porsalindurit deri te fëmijët e moshës 14-vjeçare, duke ofruar një kontroll periodik të syve.

Gjatë 2024 rreth 220 mijë fëmijë do të mbështeten nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në kuadër të këtij programi.

Programi i Depistimit të Kujdesit Dentar për fëmijët e grupmoshës 6-14 vjeç në shkolla synon ngritjen e kabineteve të reja dentare në shkollat e vendit. Për fëmijët e shkollave në zonat rurale ky shërbim është ofruar edhe me njësi të lëvizshme dentare.

Dita Botërore e Shëndetit të Gojës, e vendosur nga Federata Dentare Botërore (FDI) çdo vit në 20 mars, synon të rrisë ndërgjegjësimin, si dhe të tregojë rëndësinë e madhe që ka shëndeti oral në shëndetin e përgjithshëm dhe mirëqenien.