Në projektligjin e ri për Policinë e Shtetit, i cili prej një jave është për konsultim publik, parashikohet një trajtim i veçantë i punonjësve të cilët kanë 30 vite në shërbim.

Sipas draftligjit të ri, “Punonjësi i policisë, në momentin që përfiton trajtim të veçantë shërbimi, merr shpërblim menjëhershëm në masën e 6 pagave, sipas pagës bruto të muajit të fundit”.

Sipas projektligjit, neni 110 për trajtimin e veçantë të punonjësve të Policisë parashikohet që: “Punonjësi i policisë përfiton trajtim të veçantë shërbimi, kur ka plotësuar 30 vite vjetërsi shërbimi vetëm në strukturat e Policisë së Shtetit dhe ka mbushur moshën 55 vjeç”. Masa e trajtimit të veçantë të shërbimit është 70% të pagës neto të muajit të fundit dhe për çdo vit shërbimi mbi 30 vjet masa e trajtimit rritet me 1% të pagës, por nuk duhet të kalojë 80% të saj.”

“Punonjësi i policisë, që iu nënshtrohet kushteve të këtij neni, përfiton trajtim të veçantë shërbimi menjëherë deri në mbushjen e moshës për pension të plotë pleqërie, pa u trajtuar me pagesë kalimtare apo pension të parakohshëm suplementar. Trajtimi i veçantë i shërbimit përfitohet me kërkesën e punonjësit të policisë, pas miratimit dhe me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe mbulohet nga buxheti i Policisë së Shtetit. Periudha e trajtimit të veçantë të shërbimit njihet si periudhë punësimi për efekt të llogaritjes së vjetërsisë së shërbimit për pension të plotë pleqërie. Punonjësi i policisë gjatë periudhës që përfiton trajtim të veçantë shërbimi mund të punësohet ose të kryejë veprimtari tjetër private, pa iu cenuar e drejta e trajtimit të veçantë të shërbimit dhe zbaton detyrimet sipas legjislacionit në fuqi për dypunësimin”, lexohet në projektligj

Kjo skemë, sipas relacionit të projektligjit, do të garantojë një rifreskim të trupës policore.

Në draftligjin, që pritet të miratohet në fillim të muajit prill në qeveri, parashikohet edhe ofrimi i kredisë me interes të butë për strehim për punonjësit e policisë, sigurimit shëndetësor të veçantë dhe kompensimit në rastet e plagosjes dhe dëmtimit të shëndetit të punonjësve të policisë.

Në projektligj parashikohet trajtimi i dhe mbështetja e familjarëve në rastet kur punonjësi i policisë humb jetën në detyrë. Në nenin 110 të ligjit të ri të Policisë së Shtetit, parashikohen dhe modalitetet e përfitimit të mbështetjes financiare.

“Kur punonjësi i policisë humb jetën për shkak të detyrës, pjesëtarët e familjes përfitojnë: Ndihmë të menjëhershme financiare, 10 paga mujore, sipas pagës referuese të muajit të fundit; pension familjar suplementar, në masën 100 për qind të pagës mujore të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, pavarësisht nga periudha e sigurimit. Përfitimet jepen në vlerën 100 për qind të pagës, sa herë që paga, sipas së cilës është llogaritur ky përfitim, ndryshon; Rimbursim, në masën 100 për qind të bursës së studimit në institucionet e adresimit publik për fëmijët e punonjësit; Banesë falas për bashkëshorten/in dhe fëmijët kur janë të pastrehë, sipas procedurave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave; Ndihmë financiare, në masën e 1 page mujore, sipas pagës referuese, çdo përvjetor vdekjeje deri kur fëmijët arrijnë moshën 18 vjeç”, thuhet në ligj.

Po ashtu në draftligj parashikohet që “ceremonia mortore organizohet nga drejtuesi i strukturës dhe shpenzimet paguhen nga buxheti i policisë; Punësim me prioritet në përputhje me arsimimin, përvojën dhe kritere të tjera të nevojshme për vendin e punës”.