Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha sot se interesat e shqiptarëve rrezikojnë t’i nënshtrohen interesave të ngushta personale të atyre që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 përmbysën balancën institucionale.

Deklarata e Bashës u artikulua gjatë tryezës së dialogut “Harku Opozitar Euro-Atlantik”, të organizuar nga Partia Demokratike, ku i pranishëm është dhe ish-presidenti Bamir Topi.

Sipas Bashës, tryeza e dialogut me gjithë faktorët politikë, partitë politike opozitare, mbahet si një këmbanë jo për interesat e partive politike që përfaqësojnë, por për interesat e shqiptarëve.

“Sot ndodhemi më pak se një vit nga data fillestare e caktimit të zgjedhjeve, sipas Kodit Zgjedhor dhe në një moment tërësisht të parapërgatitur nga një pjesë tjetër e politikës, për t’i mohuar shqiptarëve, përfitimet e një reforme të vërtet zgjedhore”, tha Basha.

“Nesër është afati i fundit i komisionit të Reformës Zgjedhore dhe nuk është e rastësishme që kjo tryezë dialogu me gjithë faktorët politikë, partitë politike opozitare, mbahet sot pikërisht si një kambanë jo për interesat e partive politike që përfaqësoni, por për interesat e shqiptarëve që edhe një herë rrezikojnë t’i nënshtrohen interesave të ngushta personale të atyre që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 përmbysën balancën institucionale, përqendruan pushtetin dhe në këtë mënyrë dëmtuan jo pak funksionimin e demokracisë, llogaridhënien politike, rolin e parlamentit dhe vetë përfaqësimin e interesave të qytetarëve”, nënvizoi Basha.

“Detyra jonë në një situatë normale është hartimi ose shpalosja të një alternative të plotë dhe të besueshme qeverisëse. Po përgjegjësia për të zgjedhur atë, apo për të vazhduar për t’u qeverisur nga monarkët e posttranzicionit, është e qytetarëve shqiptarë. Por nuk jemi akoma aty. Nuk jemi akoma aty, sepse për shkak të 2008-ës qytetarët e kanë të pamundur të finalizojnë vullnetin e tyre, sepse siç e kemi parë, zgjedhje pas zgjedhjesh, një joshumicë qytetarësh, kthehet në një shumicë politike qeverisëse. Legjitimiteti i pushtetit është thellësisht i cenuar”, vijoi Basha.

“Si Parti Demokratike, në kontekstin aktual të zhvillimeve ne kemi kërkuar një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, me votim elektronik dhe numërim elektronik. Kombinimi i këtyre rrethanave, bën të mundur dhe votimin e diasporës masivisht, efektivisht dhe pa probleme apo mundësi manipulimi”, tha Basha.

“Listat e hapura nuk i kërkojmë për veten tonë. Në fakt nisur nga interesi i ngushtë, një kryetar partie nuk do të dorëzonte një pushtet shtesë krejtësisht të pamerituar që mori me sistemin e 2008-ës. Por listat e hapura janë një farë kompensimi për një mazhoritar të pastër dhe mundësojnë që shqiptarët të dërgojnë në parlament burrat dhe gratë që ata mendojnë se meritojnë t’i përfaqësojnë. Por që listat të jenë të hapura dhe të mos përfundojmë përsëri në një masakër me 85 mijë vota të pavlefshme, plot 8 mandate, ndërkohë diferenca mes opozitës dhe mazhorancës është 7 mandate, na duhet votimi dhe numërimi elektronik”, u shpreh Basha.

“Votimi dhe numërimi elektronik është provuar në 4 procese zgjedhore dhe ka rezultuar i suksesshëm dhe që kundërshtohet pa asnjë argument. Ndërsa sistemi kombëtar jo vetëm i jep fund deformimit të votës, duke zhvleftësuar e një qytetari në Kukës në raport me qytetarin në Vlorë vetëm për interesa të ngushta politike. Por bën po kështu duke e trajtuar Shqipërinë si një zonë elektorale, të heqim grykën e shishes që pamundëson efektivisht votën e emigrantëve. Këto janë propozimet tona institucionele. Të dorëzuara në detaje në nëntor të vitit të kaluar në komisionin bipartizan të reformës zgjedhore, paketa e dytë. Ndërkohë paketa e parë merret me problematikat konkrete të parandalimit të shitblerjes së votës, të aseteve shtetërore, të administratës publike etj.”, përfundon Basha.

Ish-presidenti Bamir Topi u shpreh se prania e tij në mbledhje ishte si moderator, jo si pjesë e një organizate politike. Ai e cilësoi marrëveshjen e vitit 2008, si pikënisjen e dëmtimit të balancave politike mes institucioneve në vend.

“E pranova me kënaqësi ftesën e Bashës. Dua të sqaroj statutin tim në këtë tryezë, nuk jam pjesë e partive politike. Por për këtë çështje kam pasur rastin të njoh aktorët, protagonistët e rrënimit të themeleve të shtetit, nga pozicioni i Kreut të Shtetit në 2008”, tha ai.

“Është detyrim qytetar, intelektual, pasi zgjedhjet vërtetë realizohen si konkurrencë mes partive politike, por ata që janë burim i demokracisë janë njerëzit. Një zë i lirë individual është i rëndësishëm. Prilli i 2008 erdhi shumë shpejt, pas një ngjarje tragjike, e kam fjalën për shpërthimin e Gërdecit. Kujtoj mirë një kryeministër në hall, një mazhorancë në hall, për përgjegjësinë dhe uljen e kredibilitetit si në mjedisin politik edhe në atë ndërkombëtar. Papritur vijën komunikime të nëndheshme të një marrëveshjeje të errët dhe okulte që paralajmëronte një shpërthim tjetër, atë të themeleve të shtetit, që parashikohej në Kushtetutë”, theksoi Topi.

“Pa komunikimeve pashë që ishte një mur i lartë i ndërtuar nga njeriu në hall dhe nga tjetri që aspironte të ndërtonte pushtetin e tij të ardhshëm mbi dramën që po konsumohej. Paralajmërimin e parë e bëra më 15 prill 2008 duke thënë çdo të ndodhte pas atij ndryshimi. Ftoj të gjithë politikanët t’i rikthehen marrëveshjes, e cila është komplekse dhe shumëdimensionale. Dobësoi rolin e presidentit dhe prishi balancat institucionale”, nënvizoi Topi.

“Sot kemi partitë politike të protagonistëve që sot konsiderohen si kazerma. Listat e deputetëve vijnë me firmën e kryetarit, kuvendi uli ndjeshëm cilësinë e tij në përfaqësim dhe rolin e tij”, përfundoi Topi.

Preç Zogaj tha se duhet institucionalizimi i opozitë, duke përgatitur një paketë të plotë kërkesës për reformat zgjedhore. “Do ishte fatkeqësi që pas asaj që ndodhi në 2008 të kthehemi sërish te pika ku kryetari vendos se cili do të jetë deputet”, tha Zogaj, teksa i bëri ftesë dhe deputetëve mbështetës të “Rithemelimit” të jenë pjesë e këtij bashkimi.

“Në zgjedhjet e ardhshme të shkojmë me një sistem ku vlerësohet çdo votë dhe ku opozita të vijë në pushtet me një shumatore votash të partive opozitare, që mundësojnë rotacionin politik”, tha Zogaj./ata