Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur sot se Porti i ri i Durrësit është një nga projektet më të rëndësishme të dekadës së ardhshme.

Duke folur në seancën e sotme plenare në Kuvend, Balluku theksoi se Porti i ri i Durrësit është një nga projektet që do ta vendosë Shqipërinë në një nivel tjetër sa i përket industrisë detare, duke e shndërruar në një nyje lidhëse në Mesdhe.

“Sipas planeve tona të mirëstudiuara, do të jetë edhe edhe një zonë ushtarake e cila ka një dizenjim dhe ne tashmë e kemi njoftuar këtë publikisht pasi e kemi bërë prezantimin dhe kemi marrë mbështetjeje nga NATO, për idenë për të pasur një bazë detare të aleancës në zonën e Porto Romanos dhe ka nisur puna”, tha ajo.

Balluku theksoi se “në paketën 390 milionë euro që do të shërbejë për ndërtimin e strukturës bazike 175 milionë euro janë të dedikuara për infrastrukturën detare parësore që do t’i shërbejë portit detar, por edhe atij militar që do të ngrihet në këtë zonë”.

Porto Romano, sipas ministres, do të bëhet porti më i madh detar i Shqipërisë, duke ofruar një strukturë mallrash të klasit botëror për bizneset e rajonit dhe duke shtrirë përfitimet ekonomike në të gjithë Evropën Juglindore.

Porti i Durrësit është një aset publik ku shteti ka 33% të aksioneve./ata