Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan zhvilloi një vizitë "të papritur" në Kiev ndërkohë që vazhdojnë diskutimet lidhur me paketën e ndihmës ushtarake brenda të cilës përfshihet edhe Ukraina.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson deklaroi se Sullivan në vizitën e tij u takua me zyrtarë ukrainas të nivelit të lartë përfshirë edhe presidentin, Volodymyr Zelenskyy.

Watson tha se Sullivan në takime ka theksuar se "Dhoma e Përfaqësuesve duhet të miratojë urgjentisht projektligjin shtesë të sigurisë kombëtare për përmbushjen e nevojave kritike të luftës së Ukrainës".

"Sullivan me bashkëbiseduesit e tij ukrainas diskutoi për përpjekjet që vazhdojnë me aleatët dhe partnerët për të mbajtur Rusinë përgjegjëse për veprimet e saj dhe për të pakësuar ndikimin ekonomik të luftës në Ukrainë dhe në botë", tha Watson e cila shtoi se palët diskutuan luftën kundër korrupsionit si dhe avancimin në çështjen e reformave të tjera kyçe të nevojshëm për të përparuar integrimin euro-atlantike të Ukrainës.

Paketa e ndihmës ushtarake prej 95.3 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin që u miratua në Senatin e SHBA-së më 13 shkurt pret miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa presidenti Joe Biden bën thirrje për përshpejtimin e saj.

Paketa kaloi me mbështetje të madhe në Senat ndërsa kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson nuk e ka sjellë ende projektligjin në Dhomën e Përfaqësuesve./aa