Me projekt të hartuar nga profesorët e Universitetit të Prishtinës llogaritet që ndërhyrjet të bëhen me 6 milionë e 994 mijë e 937 euro. Kaq është çmimi për të cilin institucioni më i lartë kulturor në vend ka vendosur t’ia japë kompanive “LimitProject Sh.P.K” dhe “Rinesa Sh.P.K” për t’i realizuar punimet në ndërtesën që i është vënë dryni qysh në korrik të vitit 2022. Procesi i prokurimit ka zgjatur qysh prej majit dhe nuk është finalizuar ende, pasi duhet pritur edhe afati i ankesave, shkruan albinfo.ch

Synimi është që brenda 12 muajsh, prej kur nis puna, Teatri Kombëtar i Kosovës të jetë i gatshëm për ta “riatdhesuar” stafin artistik, teknik e administrativ. Për këtë Ministria e Kulturës ia ka besuar punën një konsorciumi vendor. Me projekt të hartuar nga profesorët e Universitetit të Prishtinës, llogaritet që ndërhyrjet të bëhen me 6 milionë e 994 mijë e 937 euro. Kaq është çmimi për të cilin institucioni më i lartë kulturor në vend ka vendosur t’ia japë kompanive “LimitProject Sh.P.K” dhe “Rinesa Sh.P.K” për t’i realizuar punimet në ndërtesën që i është vënë dryni qysh në korrik të vitit 2022. 

Procesi i prokurimit ka zgjatur qysh prej majit dhe nuk është finalizuar ende, pasi duhet pritur edhe afati i ankesave. Sipas shkresave të lëndës në tenderin e përbashkët për intervenimet në ndërtesën e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës kanë ofertuar dy konsorciume. Njërës i është besuar TKK-ja e tjetrës MKK-ja. 

Projekti i hartuar nga profesorët universitarë të Fakultetit të Arkitekturës, atij të Ndërtimtarisë, Inxhinierisë Elektrike dhe Inxhinierisë Mekanike ruan formën aktuale të ndërtesës së viteve ’40 të shekullit të kaluar. Shtesa janë bërë nga prapa në një aneks të shtuar në vitet ’80. Arkitektura e re e bazuar në nevojat e institucionit, nuk tejkalon pikën më të lartë aktuale të monumentit. Gjatë një prezantimi të mbyllur në fillim të prillit, profesori i Inxhinierisë së Ndërtimit, Naser Kabashi, kishte thënë se është bërë diçka e mundshme për kushtet që janë. 

“Detyra ishte komplekse, pasi kishte shumë kërkesa”, kishte thënë ai. Sipas tij, si projektues janë të gatshëm për të ndihmuar edhe gjatë procesit të zbatimit të projektit. 

“Mbetemi në lojë për disa detaje”, kishte thënë ai. 

Ministria e Kulturës ka përvoja kur punëkryesit “kanë hasur në telashe me zbatimin e projekteve” dhe projektet kapitale kanë ngelur ngrehina. 

Inxhinieri Kabashi disa herë kishte kërkuar nga kolegët që të bëjnë llogaritje të sakta sa i përket paramanës së vlerës së realizimit të projektit. 

Paraprakisht projektuesit kishin paraparë që punët të përfundojnë me 5.4 milionë euro. Më pas kishin vlerësuar se punimet do të kushtojnë 7 milionë.

Sipas Ligjit për ndarjet buxhetore për këtë vit, deri më 2026, Ministria e Kulturës ka paraparë 5.3 milionë euro për këtë projekt, por në të njëjtin dokument si vlerë totale të projektit ka llogaritur mbi 10 milionë euro./SyriNet