Presidenti i Egjiptit, Abdel-Fattah al-Sisi bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës gjatë një takimi me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken.

Blinken mbërriti në Kajro herët sot për bisedime me zyrtarët egjiptianë mbi përpjekjet për të arritur marrëveshje armëpushimi në Gaza midis Hamasit dhe Izraelit.

Bisedimet midis Sisit dhe Blinkenit u fokusuan në situatën në Rripin e Gazës dhe përpjekjet e ndërmjetësimit për të arritur marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbim pengjesh midis Izraelit dhe Hamasit, tha presidenca egjiptiane në një deklaratë.

Udhëheqësi egjiptian paralajmëroi për pasoja të rënda nga çdo sulm tokësor izraelit në qytetin Rafah, ku më shumë se 1.4 milion njerëz janë strehuar nga lufta e Izraelit në Rripin e Gazës.

Ai gjithashtu bëri thirrje për hyrjen e ndihmës së mjaftueshme në Gaza dhe hapjen e një horizonti politik për të krijuar një shtet të pavarur palestinez në kufijtë e vitit 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytet.

Blinken, nga ana e tij, përshëndeti përpjekjet egjiptiane për të vendosur qetësinë në rajon, thuhet në deklaratë.

Sipas deklaratës, të dy palët ranë dakord për rëndësinë e marrjes së të gjitha masave të nevojshme për të siguruar qasjen në ndihmat humanitare për popullsinë e Gazës dhe të refuzojnë çdo formë të zhvendosjes së palestinezëve nga toka e tyre.

Blinken filloi turneun e tij të fundit rajonal të mërkurën duke zhvilluar bisedime me zyrtarë në Arabinë Saudite për të diskutuar një marrëveshje armëpushimi në Gaza. Ai është planifikuar të vizitojë Izraelin të premten.

Kryediplomati amerikan tha të mërkurën se SHBA-ja ka paraqitur një projektrezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për "armëpushim të menjëhershëm" në Gaza që "është e lidhur me lirimin" e pengjeve të mbajtur nga Hamasi.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Gaza që nga një inkursion ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor 2023, në të cilin Tel Avivi thotë se janë vrarë 1.200 njerëz.

Gati 32 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në enklavë nga sulmet izraelite dhe rreth 74 mijë të tjerë janë plagosur, përveç shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.

Lufta izraelite ka shtyrë 85 për qind të popullsisë së Gazës në zhvendosje të brendshme, krahas një bllokade gjymtuese të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa