Klinika Stomatologjike Universitare në Tiranë, është kompletuar me pajisje të reja mjekësore të teknologjisë së lartë, duke përmirësuar cilësinë e shërbimit për qytetarët.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se, “në Klinikën Stomatologjike Universitare kemi mundësuar për herë të parë instalimin e një teknologjie të avancuar digjitale, Skaner 3D extraoral, motora kirurgjikal dhe unit piezokirurgjie duke përmirësuar shërbimet dentare falas për kategoritë në nevojë, fëmijë të komunitetit rom, të institucioneve të përkujdesit social, të moshuarit si dhe personat që trajtohen me ndihmë ekonomike”.

Sipas saj, skaneri 3D i gjeneratës së fundit, kryen ekzaminimet e fëmijëve dhe të rriturve duke analizuar në mënyrë të detajuar çdo pjesë me një kohë ekspozimi nga 2 në 14 sekonda si asnjë pajisje tjetër që ul efektet anësore te pacientët.

“Nga dhjetori 2023 në shkurt 2024, kanë përfituar shërbime dentare falas 847 fëmijë dhe 4827 të rritur”, tha Koçiu.

Dita Botërore e Shëndetit të Gojës, e vendosur nga Federata Dentare Botërore (FDI) çdo vit në 20 mars, synon të rrisë ndërgjegjësimin, si dhe të tregojë rëndësinë e madhe që ka shëndeti oral në shëndetin e përgjithshëm dhe mirëqenien./ata