Arsimi profesional është rruga e sigurt drejt punësimit real dhe rritjes ekonomike, ndaj dhe qeveria shqiptare po mbështet me politika të veçanta kualifikimin e fuqisë punëtore në përputhje me nevojat e tregut të punës.

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Taulant Balla solli sot në vëmendje shkollën profesionale “Rakip Kryeziu” në Fier, e cila certifikon nxënësit me kompetenca profesionale me standardet e Bashkimit Europian.

Balla ndau pamje nga mjediset e reja të shkollës së mesme bujqësore “Rakip Kryeziu” në Fier, e cila pas rikonstruksionit total do të ofrojë kushte dinjitoze dhe mjedise mësimore të praktikës profesionale për 180 nxënës.

Balla theksoi se shkolla ofron mësimdhënie në 5 profile të ndryshme, Bujqësi, Veterinari, Teknologji Ushqimore, Shërbime Sociale dhe Shëndetësore, Shërbime Mjetesh Transporti.

Numri i nxënësve në shkollat e arsimit profesional është rritur në mënyrë të ndjeshme falë vëmendjes së shtuar të qeverisë ndaj arsimit profesional në vitet e fundit, duke synuar një përshtatshmëri më të madhe me nevojat e tregut të punës dhe biznesit.

Qeveria ofron bursa për nxënësit nga familje me vështirësi ekonomike dhe me probleme sociale, vajzat që zgjedhin profesione jotipike, nxënësit me mesatare mbi 9 dhe nxënës që janë pjesë e komunitetit rom ose egjiptian./ata