Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku u shpreh sot se ka mungesë vizioni dhe mungesë të qartë politikash nga ana e qeverisë për t’i ardhur në ndihmë biznesit fason.
Duke folur për Aktin Normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2024, Tabaku u ndal te instrumenti i Garancisë Shtetërore prej 4 miliardë lekësh që akordohet për bizneset fason.
Sipas saj, kjo është vetëm një prej kërkesave të biznesit fason, ndërkohë që qeveria sot ka dështuar të ndihmojë këtë sektor që të zhvillohet.
“Qeveria ka dështuar që t’i ndihmojë ata të rriten, të zhvillohen dhe të mos mbeten te produkte gjysmë të gatshme, por të dalin në tregjet ndërkombëtare me produkte ‘Made in Albania’. Sot kemi rënie me 30% të eksporteve, ku 45% e totalit ka rënie të këtyre produkteve. Të thuash që po i vendos 4 miliard lekë fond garancie është tallje sepse kanë bërë 10 kërkesa kompanitë fason dhe qeveria shqiptare ka vlerësuar veç 1 prej tyre”, tha Tabaku.
Sipas saj, sektori i fasonëve vuan mungesën e investimeve në inovacion.
“Çfarë do të eksportojë nesër Shqipëria? Këtu duhet të investohet te arsimi profesional dhe inovacioni të lidhur me këto tregje dhe për t’i bërë ato konkuruese dhe jo për trajnime profesionale dhe ndërtim konviktesh. Nuk ka nevojë për konvikte e godina por për njerëzit që po ikin, për ide për të zhvilluar biznesin dhe që ta bëjmë atë konkurues në tregjet europiane e më gjerë”, tha Tabaku./ata