Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përcolli sot historinë e dy zonjave me të cilat njihet prej 25 vitesh, Julianës dhe Elenit.

“Ia kanë dalë me sukses të nisin një punë me shumë kurajo e guxim, e ku sot përqafojnë teknologjinë më të përparuar dhe sfidojnë vështirësitë e sipërmarrjes dhe agrobiznesit me përkushtimin e pasionin për cilësi dhe standarde”, u shpreh Denaj.

Eleni Babameto, administratore e “Teuta”, Durrës thotë se sukseset e arritura janë falë eksperiencës 30-vjeçare në të njëjtin sektor, që sipas saj i ka bërë të fitojnë një përvojë në përzgjedhjen e lëndëve të para.

Ajo thekson se kompania ka ngritur një staf të kualifikuar që ndjek cilësinë dhe përpunimin e lëndëve të para dhe produkteve të gatshme.

“Të bësh biznes dhe të arrish suksese është një ëndërr e bukur, por e vështirë. Sfidat me të cilat duhet të përballesh janë të përditshme dhe të ndryshme në çdo fazë të biznesit, nga tregu, situata në Europë, botë. Janë edhe sfidat që ne i vendosim vet vetës për të rritur gamën e produkteve shërbimeve, shërbimet që ofrojmë për klientët. Kështu që sfidat janë të pashmangshme”, thotë Babameto.

“Teksa kthej kokën pas, sot, pas 30 vitesh them se ia kam dalë dhe se familja ka qenë mbështetja ime më e madhe”, deklaroi Babameto.

Ceo e SoCart ,Juliana Xhabafti thotë se SoCart është kompania më e re e “Alkos” dhe ka mbi 20 vite që operon në tregun shqiptar për produkte të higjienës dhe kozmetikës në Shqipëri.

“Pretendojmë të kemi rritje të vazhdueshme, por duam të fitojmë siguri te puna jopë dhe cilësia e produktit”, deklaron Xhabafti./ata