Përpunuesit e mishit ankohen se taksa 10% e importit të mishit që vjen nga BE vijon t’i penalizojë në rritje kostosh dhe në konkurrueshmëri, pasi për vendet anëtarë të CEFTA-s, tarifa është zero prej 17 vitesh. Pas shqetësimeve të tyre, Ministria e Bujqësisë do të nisë një studim për sektorin, nëse do të propozohet heqja e taksës në paketën fiskale 2024. Nisma kundërshtohet nga ekspertët, pasi zerimi i taksës dëmton prodhimin vendas. Sasia e importeve të mishit për 7-mujorin e 2024-s u kryesua nga Brazili, me 28% të totalit.

Pas shqetësimit të ngritur nga kompanitë më të mëdha të përpunimit të mishit, si: EHW, KMY, HAKO, FIX, TONA, që kërkojnë heqjen e taksës 10% të importit të mishit nga vendet e BE-së, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tha për “Monitor” se nisma nga importuesit për ndryshime fiskale duhet t’i drejtohet Ministrisë së Financave.

“Nëse do të na kërkohen të dhënat, do të bëhet një studim i sektorit përkatës”, pohon Ministria e Bujqësisë. Por kërkesa e industrialistëve për heqjen e taksës nuk mbështetet nga ekspertët e blegtorisë, pasi sipas tyre, heqja e taksës doganore do të thyente të vetmen barrierë mbrojtëse të prodhimit vendas blegtoral, i cili nuk mbështetet me subvencione nga shteti.

 

Pse kërkohet heqja e taksës nga industria përpunuese

Në letrën dërguar Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, kompanitë pohojnë se vijojnë të humbasin konkurrueshmërinë në rajon, prej vitit 2007, ku sipas marrëveshjes CEFTA shtetet si: Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova, importojnë mishin si lëndë të parë nga Europa me taksë doganore zero, ndërsa Shqipëria është e vetmja që e eksporton me taksë 10%. Po ashtu, këto shtete eksportojnë drejt Shqipërisë me taksë zero.

“Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit të vendit tonë me BE-në, në vitin 2006, të gjitha tarifat doganore mbi lëndët e para për përpunimin industrial u bënë zero.

Por mbeti në fuqi tarifa doganore 10% për të gjithë llojet e mishrave të importit, përfshirë edhe disa produkte që kanë vetëm një përqindje mishi. Kjo u bë me këmbënguljen e Ministrisë së Bujqësisë, ‘me pretendimin për mbrojtjen e prodhimit vendas, rritjen e kafshëve për mish’.

Marrëveshja u pasua nga ajo e CEFTA-s në vitin 2007, e cila zeronte të gjitha tarifat doganore me vendet e rajonit, përfshirë ato të mishit dhe të nënprodukteve të tij, si sallamet dhe proshutat”, thuhet në letrën e operatorëve të industrisë përpunuese të mishit dërguar ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, dhe ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj.

Sipas përfaqësuesve të fabrikave të përpunimit të mishit, 80% të importeve si lëndë e parë e zë mishi i derrit, që më tepër importohet nga Brazili, 15% mishi i gjethit dhe 5% mishi i pulës, kryesisht gjoks pule.

Industrialistë nga Shoqata e Bashkimit të Prodhuesve pohojnë se mundësia për t’u furnizuar me mish për lëndën e parë për prodhimin e nënprodukteve, si sallam, proshutë etj., është shumë e ulët në vend, për shkak të rënies së numrit të krerëve të kafshëve. Veçanërisht mungesë të theksuar ka për mishin e derrit si lëndë e parë.

Sipas tyre, politika fiskale për vendosjen e taksës 10% te produktet e mishit të importuar nga BE-ja nuk ka ndikuar në shtimin e krerëve të kafshëve në vend.

“Ndërsa këto vende kishin tarifa doganore zero për blerjen e mishit nga BE, vendi ynë e mbajti këtë tarifë 10%, gjithnjë me këmbënguljen e Ministrisë së Bujqësisë. Cilat janë pasojat ndër vite? E vërteta e parë është që këto taksa nuk stimuluan prodhimin vendas të kafshëve për mish.

Sot në vend nuk ka asnjë prodhues të mishit të derrit, lënda e parë kryesore e industrisë sonë. Gjithashtu nuk ka asnjë prodhues të mishit të pulës që ne përdorim, si fileto pule (për proshutat), apo bader (për Wurstel) ka fare pak prodhues të mishit të gjedhit të cilët plotësojnë vetëm një pjesë të vogël të mishit të freskët që tregu konsumon (pjesa më e madhe vjen nga importi)”, thuhet në letrën e industrialistëve.

Sipas të dhënave të INSTAT, për vitin 2023 numri i krerëve të gjedhëve arriti në 264 mijë. Krahasuar me vitin 2022, numri i tyre ra me 11%.

Rënie është shënuar edhe te krerët e derrave. Për vitin 2023, numri i tyre arriti në 114,830 derra. Në raport me 2022, numri i tyre ra me 16%.

Për vitin 2023 në vend numërohen 4,8 milionë krerë pula. Krahasuar me 2022, në periudhën e pandemisë së shpendëve, rënia e tyre është 2%.

Shfaqja e gripit të shpendëve në muajin mars 2022 në Shqipëri solli ngordhjen e një numri të lartë shpendësh. Në total, sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2022 numëroheshin rreth 4,9 milionë pula në të gjithë vendin. Krahasuar me 2021, numri i tyre ra rreth 5%.

Nga vendosja e taksës 10%, përfaqësues të industrisë përpunuese të mishit pohojnë se po vijojnë të dëmtohen nga konkurrenca e prodhuesve të rajonit, që mishin e importojnë me tarifë doganore zero.

“Gjithë vendet e CEFTA-s e blejnë lëndën e parë kryesore, mishin, me taksë doganore zero nga vendet e BE-së, ndërsa te ne shtohet taksa doganore 10%.

Kjo çon në mbikosto, të cilat na penalizojnë edhe eksportin në këto vende”, tha më herët Luan Leka, themelues dhe CEO i EHW GMBH, me aktivitet në përpunimin e mishit, zinxhirin e supermarketeve “Conad”.

Edhe për një tjetër përpunues, taksa doganore 10% e importit të mishit e ka bërë të pamundur zgjerimin e tregut në rajon.

“Për ne përpunuesit e mishit, taksa doganore e lëndëve të para vijon të jetë 10%, ndërsa për një përpunues në Maqedoninë e Veriut, ku mund ta kemi më të lehtë të eksportojmë edhe për shkak të afërsisë, taksa doganore e lëndës së parë është zero.

Gjithashtu ky përpunues shet me TVSH 5%, ndërsa ne me TVSH 20%. Automatikisht produktet shqiptare prodhohen me kosto më të lartë, humbasin konkurrueshmërinë. Ndërsa në Serbi është e pamundur për të konkurruar me produktet vendase.

Pra jemi të dëmtuar nga taksa doganore 10% dhe TVSH për të konkurruar rajonin. Ndërsa në tregjet europiane, po për shkak të legjislacionit, nuk arrijmë të eksportojmë”, theksoi ndër të tjera z. Tona i fabrikës së përpunimit të mishit në Korçë.

Sipas industrialistëve, fakti që vetëm Shqipëria ka vendosur tarifën doganore 10%, ndërsa vendet e tjera e kanë këtë tarifë 0%, dëmton seriozisht aftësinë konkurruese të industrive tona kundrejt konkurrentëve rajonalë.

“Për këtë arsye, ne si operatorë të sektorit, të dëmtuar rëndë nga kjo taksë, kërkojmë heqjen e menjëhershme të saj”, pohojnë ata.

Propozimi i Ministrisë së Bujqësisë

Përfaqësuesit e fabrikave përpunuese kërkojnë heqjen e taksës 10% për importin e mishit të gjethit, derrit, pulës dhe nënprodukteve të tyre.

Ministrja e MBZHR-së, znj. Anila Denaj, në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut tha se kjo kërkesë pritet të formësohet në paketën e re fiskale, me qëllim mbrojtjen e biznesit vendas.

“Sot janë 15 kompani shqiptare që tregtojnë mish importi të Brazilit nga stabilimente të licencuara nga BE-ja.

Kjo është garanci për import cilësor që bëjnë kompanitë tona shqiptare. Ata na kanë kërkuar uljen e një takse 10% për të qenë konkurrentë me kompanitë e tjera në rajon.

Për të ruajtur kompanitë shqiptare, jemi duke e studiuar atë për ta prezantuar së bashku me ministren e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, znj. Ibrahimaj, në paketën e re fiskale”, pohoi ministrja Denaj.

Ekspertët janë kundër, dëmtohet prodhimi vendas

Propozimi për heqjen e taksës doganore 10% të mishit të importit nuk mbështetet nga ekspertët e blegtorisë. Ervin Resuli pohon se masa, nëse miratohet, do të thyejë të vetmen barrierë mbrojtëse për të penguar hyrjen e importeve nga jashtë.

Z. Resuli thotë se në këtë situatë, institucionet shtetërore duhet të ndërhyjnë me rritje të subvencioneve me qëllim mbrojtjen e industrisë dhe blegtorisë që është në një situatë të vështirë në rënien e krerëve të kafshëve.

“Heqja e taksës së importit do të bëjë batërdinë në vend. Pasi pa taksë doganore do të importohen jo vetëm mishi, por të gjitha nënproduktet e tjera të kërkuara për heqje të taksës sipas kodit doganor.

Heqja e taksës do të jetë jo vetëm për mishin, por të gjithë produktet e tjera që përfshin kodi doganor i kërkuar nga industria për heqje të taksës.

Kjo masë fiskale, nëse do të miratohet, nuk do të ndihmojë aspak prodhimin vendas. Është tepër e domosdoshme që shteti të ndërhyjë me dhënie subvencionesh për blegtorinë, në të kundërt do të vijojë rënia e numrit të krerëve të kafshëve për qumësht”, pohon ai.

A do të hapen eksportet për nënprodukte të mishit me BE-në?

Por përveç disavantazhit konkurrues me fqinjët, kjo industri i ka të mbyllura portat për të eksportuar edhe në BE, pavarësisht se në harkun e 30 viteve, kompanitë përpunuese të mishit kanë investuar në teknologji moderne.

Pjesa më e madhe e tyre janë të certifikuara nga certifikues europianë për ekzekutimin e procedurave që garantojnë standardet e sigurisë ushqimore të produkteve në përputhje me rregulloret e BE-së.

Luan Leka, drejtuesi i një prej kompanive më të mëdha të përpunimit të mishit EHW shpjegoi më herët për “Monitor se pengesa kryesore që ka çuar në mbylljen e portave të BE-së për eksportin e kësaj kategorie produktesh është mosunifikimi i legjislacionit të sigurisë ushqimore me atë të BE-së.

Ai renditi një sërë efektesh negative të krijuara në 18 vite nga mungesa e unifikimit të legjislacionit, që nga dëmtimi i investimeve të kompanive përpunuese të mishit për shtim kapacitetesh, humbja e konkurrueshmërisë në rajon dhe frenimi i rritjes së blegtorisë.

Sipërmarrësit ngrenë shqetësimin se në këtë situatë është e domosdoshme që shteti të ndërhyjë në reduktimin e TVSH-së për produktet e shportës, të heqjes së taksës doganore 10% për importin e mishit nga Europa dhe të nisë procedurat për certifikimin e produkteve shtazore, me qëllim gjetjen e tregjeve të reja për eksport, pasi rënia e konsumit do të rrezikojë mbylljen e fabrikave përpunuese.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tha për “Monitor” se për hapjen e eksporteve të produkteve të përpunuara të mishit nuk është pengesë unifikimi i legjislacionit, por kryerja e procesit të auditit nga KE.

“Në nëntor të vitit 2023, në Bruksel është organizuar Takimi Dypalësh BE – Shqipëri për Kapitullin 12 “Politikat në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitetit” ku ne paraqitëm për gjatë një jave të gjithë situatën e përafrimit të legjislacionit në këto fusha, si dhe implementimin e tij.

Në përfundim të takimit jemi përshëndetur për punën e bërë në lidhje me nivelin e transpozimit të acquis të BE-së në legjislacionin shqiptar.

Hapja e eksporteve me BE-në të produkteve me origjinë shtazore është e vështirë për shkak të rrezikut të lartë që këto produkte mbartin dhe të garancisë shumë të madhe që autoritetet kompetente shqiptare duhet të ofrojnë.

Duke qenë se kategoria e produkteve me origjinë shtazore përmban disa nënkategori produktesh, të cilat nuk zbatojnë të njëjtin legjislacion specifik, por edhe për shkak të stadeve të ndryshme të zhvillimit të industrisë së prodhimit dhe përpunimit të tyre, ato nuk janë në të njëjtën shkallë të implementimit të standardeve të BE-së, që aktualisht janë përafruar në legjislacionin shqiptar, për të filluar eksportet.

Në këtë mënyrë, kërkohet një angazhim, bashkëpunim dhe transparencë më e madhe midis operatorëve të biznesit dhe autoriteteve kompetente për të vijuar me procedurat për hapjen e eksportit për ato nënkategori produktesh me origjinë shtazore, për të cilat jemi më afër me kërkesat e plotësimit të standardeve të BE-së.

Ne po punojmë intensivisht për listimin e Shqipërisë sipas prioriteteve dhe kapaciteteve tona për eksport në vendet e BE-së, për produkte të përpunuara të mishit, por ndër të tjera, operatori i biznesit duhet të garantojë nëpërmjet një sistemi efikas gjurmueshmërie, që lënda e parë që përdoret në këtë industri të jetë nga stabilimente që kanë të drejtë të eksportojnë në BE apo nga vende të BE-së”.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, Shqipëria është e listuar në legjislacionin e BE-së për të eksportuar disa produkte me origjinë shtazore dhe po punohet për hapjen e eksporteve për të tjera mallra me origjinë shtazore.

“Janë një sërë kompanish shqiptare që eksportojnë në vendet e Bashkimit Europian produkte me origjinë shtazore, si peshk dhe produkte peshkimi (31 kompani), vezë (6 kompani prej të cilave vetëm 1 kompani eksporton vezë të lëngshme), kërmij (1 kompani), këmbë bretkosash (2 kompani), zorrë për t’u përdorur në industrinë e sallamerive (4 kompani).

Gjithashtu, Shqipëria eksporton edhe produkte të përbëra me bazë qumështi, si dhe molusqe bivalve të përpunuara. Për herë të parë në mars të vitit 2017, Shqipëria u bë pjesë e rrjetit europian të sistemit TRACES dhe vazhdon të jetë pjesë aktive e tij.

Shqipëria është pjesë e listës së vendeve që janë të lejuara të eksportojë produkte me origjinë shtazore në vendet e BE-së për produktet e mësipërme.

Për të zgjeruar volumin e eksporteve të këtyre produkteve, po punojmë që edhe kompani të tjera që operojnë në prodhimin dhe përpunimin e këtyre produkteve të rrisin standardet e tyre, me qëllim që të eksportojnë në vendet e BE-së.

Por, nga ana tjetër, ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me shërbimet e Komisionit Europian për shtimin e gamës së produkteve me origjinë shtazore që duam të eksportojmë në vendet e BE-së”, sqarohet nga Ministria e Bujqësisë.

Po ashtu nga Ministria e Bujqësisë u tha se Shqipëria nuk eksporton produkte ushqimore vetëm në BE por edhe në vende të tjera, si p.sh., djathi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mish qengji në Arabinë Saudite, të imta të gjalla dhe mish të imtash në Serbi, peshk, mjalti, bulmet në Kinë.

Por për industrialistët, mbetet shqetësues fakti që produktet më të kërkuara shtazore nuk eksportohen në BE, teksa ata janë të detyruar të importojnë lëndë të parë me taksë 10%, ndërsa për vendet fqinje, tarifa doganore për import është zero.

“Shqipëria nuk eksporton dot as një qengj, një pulë, një vezë të kategorisë A apo një kg djathë. Pra çdo produkt me origjinë shtazore. Pse? Se ka 18 vjet që nuk përputh legjislacionin. Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Moldavia e bëjnë.

Pse jemi të vetmit që nuk kemi përputhur legjislacion me BE-në prej 18 vitesh dhe nuk kemi të drejtë të eksportojmë asnjë produkt me origjinë shtazore, ndërkohë që fqinjët e kanë bërë.

Pse ne importojmë mish me taksë doganore 10% nga BE, kur fqinjët e importojnë me taksë zero. Dhe në vijim, ata që e nisin me avantazh konkurrues, pasi u kushton më lirë lënda e parë nga tarifa doganore zero e importit, eksportojnë në Shqipëri me taksë zero.

Justifikimi ka qenë favorizimi i rritjes së blegtorisë vendase. Ku është blegtoria vendase? Vetëm zvogëlohet në numër. Nuk ekziston mundësia të blesh askund mish derri vendi që është lënda e parë kryesore për industritë përpunuese”, pohoi një nga përpunuesit në vend.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë në fillim të vitit 2025, do të fillojë një projekt i BE-së për sigurisë ushqimore, ku një ndër mbështetjet që do i japë Shqipërisë do të jetë edhe vlerësimi, kategorizimi dhe përditësimi i standardeve të stabilimenteve ushqimore.

“Kjo do të jetë një ndihmesë e madhe për operatorët e biznesit ushqimor për përmirësimin e standardeve dhe sjelljen e tyre në standardet e kërkuara nga BE-ja për eksportin e produkteve që ata prodhojnë.

Nga ana tjetër ky projekt do të mbështesë në rritjen e kapaciteteve për procesin e negociimit të Kapitullit 12”.

Importet e mishit për 7-mujorin 2024, kryesohen nga Brazili

Në periudhën janar-korrik, në vend u importuan për grupin “Mish dhe të brendshmet e ngrënshme të mishit” 28,4 mln kg sasi mallra. Sipas të dhënave të INSTAT, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023, importet e grupit të mishit u rritën 6%.

Sasia e importeve për 7-mujorin e 2024-s u kryesua nga të hyrat e mishit dhe të brendshmeve të ngrënshme nga Brazili. Importet e Brazilit zunë 28% të totalit të 7-mujorit. Importet nga SHBA të mishit zunë 20% të totalit të importuar.

E ndjekur nga importet e Greqisë me 19% të totalit dhe Italisë me 10% të totalit. Ndërsa e importet e ardhura nga shtetet e tjera europiane si Polonia dhe Gjermania pesha e tyre ishte përkatësisht 4% dhe 3%.

Kur do të hapet eksporti për vezën e kategorisë A?

Shqipëria prej shumë vitesh vijon të eksportojë në Bashkimin Europian, vezë të kategorisë B. Ndonëse në pularitë vendase prodhohet vezë cilësore e kategorisë A, gjatë eksportit ato klasifikohen si vezë të kategorisë B, vetëm për përdorim në industrinë ushqimore.

Ekspertët e sigurisë ushqimore kanë ngritur disa herë shqetësimin që të eksportohet vezë “Klasa A” në BE duhet të plotësohen kërkesat e legjislacionit të BE dhe konkretisht zbatimi i rregullores 2160/2003 të BE “Për kontrollin e salmonelozës dhe shkaktarëve të tjerë të sëmundjeve zoonotike nga ushqimet.

Ky plan, sipas tyre, duhet të miratohet nga BE.

Për hapjen e eksportit të vezëve të kategorisë A, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tha për “Monitor” se ka përgatitur një program të ri të kontrollit të salmonelozës që do t’i dërgohet për vlerësim BE-së.

“Në lidhje me hapjen e eksportit të vezës së klasi A, Shqipëria që prej vitit 2011 në mënyrë të vazhdueshme kërkon hapjen e eksportit të vezës së klasi A.

Në vazhdimësi edhe këtë vit MBZHR-ja i ka drejtuar Komisionit Europian kërkesën për hapjen e eksportit të Vezës së klasit A.

Është përgatitur një Program Kombëtar i kontrollit për salmonelozën në pulat për vezë i (Gallus Gallus)2024, në përputhje me kërkesat e fundit të legjislacionit të BE-së, i cili do të dërgohet në Bruksel për vlerësim”, pohoi Ministria e Bujqësisë.

Vezët klasifikohen sipas cilësisë më poshtë:

a) vezët e Klasës A ose të “freskëta” janë për konsum të drejtpërdrejtë nga njerëzit dhe për t’u përdorur në industritë ushqimore ose joushqimore;

b) vezët e Klasës B dorëzohen vetëm në industrinë ushqimore për përpunim termik (përpunimi termik në industrinë ushqimore nëpërmjet linjave teknologjike të kontrolluara eliminon mikroorganizmat që mund të jenë të dëmshme për njerëzit).

Ky aktivitet është kontrolluar disa herë nga ekspertët e BE-së (Food and Veterinary Office) dhe kanë konstatuar se plotësohen kërkesat e legjislacionit të BE-së për këto produkte. Aktualisht janë 5 kompani në 6 vendndodhje që kanë të drejtën të eksportojnë vezë Klasa B, vezë të lëngët dhe produkte vezë në BE.

Për ekspertin e menaxhimit të fermave, Edi Fero, pritet që edhe programi i ri të mos i japë zgjidhje çështjes së eksportit të vezëve, pasi në 10 vite nuk ka pasur përmirësim në nivelin e sigurisë së prodhimeve shtazore.

Ai thotë se në fermat e rritjes së shpendëve nuk mungojnë investimet bashkëkohore, por mosinteresimi i shtetit për të monitoruar zbatimin e standardeve, që veza të mos shkojë me antibiotik, që të kryhen protokollet e mjekimeve dhe vaksinimeve, nuk mundëson hapjen e eksportit.

“Pas ndjekjes së këtyre procedurave ftohet Komisioni Europian i hapjes së eksporteve në Shqipëri që verifikon kontrollin. Nëse masat janë zbatuar, hapet eksporti për çdo fermë”, thotë ai.

Ndërsa tregu i pularive çdo vit rrezikohet nga mbiprodhimi, teksa konsumi i vezëve sipas kompanive prodhuese, dy vitet e fundit ka tendencë rënëse nga emigracioni i popullsisë. Në eksport kompanitë largojnë tepricat e prodhimit, për shkak të çmimit të ulët të shitjes, pasi veza vlerësohet e kategorisë B.

Vetëm vjet, për disa muaj rresht, veza shqiptare u eksportua me fitim. Rënia drastike e prodhimit nga pandemia e influencës aviare në Europë, rriti ndjeshëm çmimin e shitjes së vezës për eksport. Për 2023 sipas të dhënave të Doganave eksportet e vezës u rritën rreth 4 herë më shumë se 2022. Kjo ishte sasia më e lartë e vezëve të eksportuara që prej vitit 2013./Monitor.al