Duke arritur që zvarrë të dilte nga dhoma e tij në mes të natës, futbollisti norvegjez Fredrik Gulbrandsen u mbijetoi mrekullisht tërmeteve katastrofale të së hënës që goditën pjesën jugore të Türkiye-s, ku luan për skuadrën vendase.

 

Gulbrandsen, i cili ishte i vetëm duke pushuar në banesën e tij në provincën Adana pas një dëmtimi që pësoi gjatë një ndeshjeje, u përpoq të ikte nga ndërtesa 15-katëshe kur ndjeu dyshemenë që po dridhej nën këmbët e tij.

 

"U përpoqa të ngritem në apartament. Nuk munda sepse dridhjet ishin të fuqishme. U zvarrita për të kapur disa rroba dhe dola nga apartamenti nga shkallët", tha Gulbrandsen për të përditshmen norvegjeze "Dagbladet".

 

"Ende nuk mund ta besoj se arrita të dal i gjallë nga ndërtesa", shtoi ai.

 

Gulbrandsen jashtë gjeti një atmosferë paniku të madh, duke parë "shumë njerëz që përpiqeshin të dilnin nga banesat e tyre dhe të ikin".

 

Sulmuesi 30-vjeçar shtoi më tej se ka telefonuar familjen e bashkëlojtarit të tij norvegjez Jonas Svensson dhe i ka marrë me vete në ambientet e klubit.

 

Gulbrandsen tha se ata ishin "në gjendje të mirë", por kishin kaluar një përvojë traumatike. Gulbrandsen, i cili vitin e kaluar u transferua në Adana Demirspor nga Medipol Basaksehir, shënoi një gol dhe bëri katër asiste në 13 ndeshje.

 

Të gjitha aktivitetet sportive në Türkiye janë pezulluar deri në njoftimin e radhës për shkak të tërmeteve vdekjeprurëse, pasi në vend u shpall shtatë ditë zie kombëtare.

 

Federata Turke e Futbollit konfirmoi të martën se të gjitha ndeshjet e kësaj jave, në datat 7-12 shkurt, ishin shtyrë.

 

Të paktën 8.574 persona humbën jetën dhe 49.133 të tjerë u plagosën në Türkiye pas dy tërmeteve të fuqishme të hënën që goditën pjesën jugore të vendit, sipas Agjencisë turke të menaxhimit të fatkeqësive.

 

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë, epiqendra e të cilave ishte në provincën Kahramanmaraş, goditën 10 provinca dhe prekën më shumë se 13 milionë njerëz./AA