Në qytetin e Prizrenit është mbajtur programi tradicional i iftarit organizuar nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) me të ftuar të shumtë.
Kryetari i KDTP-së, njëherësh ministër i Zhvillimit Rajonal të Kosovës, Fikrim Damka, kryetari i Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), Abdullah Eren, ambasadori i Türkiyes në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, deputetë të KDTP-së, si dhe shumë të ftuar të tjerë morën pjesë në programin e iftarit të mbajtur në një hotel në Prizren.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Damka uroi të ftuarit për 73 vjetorin e rifitimit të së drejtës për arsimim turk në Kosovë. Ai tha se 20 marsi përfaqëson ringjalljen dhe rilindjen e komunitetit turk në Kosovë.
“20 marsi i vitit 1951 është dita kur fituam sërish të drejtën e arsimit turk në Kosovë. Që atëherë, komuniteti turk në Kosovë ka mbajtur gjallë identitetin, arsimin dhe kulturën e saj. Sigurisht, kjo nuk është vetëm falë nesh, por edhe falë jush, falë atdheut tonë. Ne jemi shumë më të fortë sot, atdheu ynë është gjithmonë me ne”, tha ai.
Ndërkaq, Eren theksoi se kanë realizuar shumë projekte arsimore dhe kulturore në Kosovë dhe se shumë studentë nga Kosova shkollohen në Türkiye. Ai tha se komuniteti turk në Kosovë mbart dhe ruan zemrën turke të mëshirës dhe dhembshurisë.
“Kosova është historia, kultura dhe atdheu ynë. Kosova është emri i atdheut që u vadit me gjakun e të parëve tanë, ku me ezanin e saj u vulos vula e Islamit dhe që është prej nesh në çdo mënyrë. Bashkatdhetarët tanë, të cilët vazhdojnë pishtarin e turqizmit jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Ballkanin, përmes shumë vështirësive po përpiqen të mbajnë gjallë kulturën dhe identitetin e tyre”, theksoi ai.
Eren gjithashtu bëri thirrje për pjesëmarrje në regjistrimin e popullsisë që do të mbahet në Kosovë nga 5 prilli deri më 17 maj 2024.
Edhe ambasadori Angılı u ndal në fjalën e tij tek çështja e regjistrimit të popullsisë.
“Ne si Republikë e Türkiyes e konsiderojmë këtë regjistrim si një mundësi. Dalja e numrit real të turqve në Kosovë nën flamurin që ju trashëguat nga gjeneratat e mëparshme dhe e bartët atë deri tani është një pikë kthese e rëndësishme, një moment historik i rëndësishëm”, tha Angılı.
Kreu i YTB-së, Eren, ka vizituar po ashtu edhe selinë e KDTP-së para programit të iftarit dhe aty paraprakisht është takuar me kryetarin Damka. Para kësaj, ai vizitoi Shoqatën e Kulturës dhe Hulumtimit “Dag” në Brod të Komunës së Dragashit dhe paralelet e gjuhës turke në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prizren./aa