Ambasadat e pesë vendeve kryesore perëndimore, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, u bënë thirrje sërish të dielën autoriteteve të Kosovës të mos ndërmarrin asnjë masë të re për hyrjen më forcë në ndërtesat e komunave veriore të banuara me shumicë serbe.
Ata paralajmëruan se “veprimet e reja të njëanshme do të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet me vendet e Quintit dhe Bashkimit Evropian.
Në një deklaratë të përbashkët diplomatët përsëritën deklaratën e 26 majit “që dënon vendimin e Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjeve tona të vazhdueshme për përmbajtje. Në këtë kontekst, Quinti dhe Bashkimi Evropian presin që autoritetet e qeverisë së Kosovës të mos ndërmarrin asnjë masë të re për hyrje me forcë në ndërtesat komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan”.
Në komunikatë thuhet se kryetarët e zgjedhur duhet gjithashtu “të tregojnë përmbajtje dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të demonstruar përkushtimin dhe përgjegjësinë e tyre për të përfaqësuar dhe shërbyer të gjithë pjesëtarët e komuniteteve të tyre”.
Në të njëjtën kohë, thuhet në deklaratë, “ne i paralajmërojmë fuqishëm të gjitha palët kundër kërcënimeve ose veprimeve të tjera që mund të ndikojnë në një mjedis të sigurt, duke përfshirë lirinë e lëvizjes dhe që mund të nxisin tensionet ose konflikt”.
Duke shfaqur shqetësimin për sigurinë dhe mirëqenien e civilëve, policëve, pjesëtarëve të EULEX-it dhe KFOR-it, diplomatët nënvizojnë se “veprimet e reja të njëanshme do të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet me vendet e Quintit dhe BE-në”.
Në komunikatë thuhet se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe anëtarësimit në bllok.
“I rikujtojmë palët që të punojnë së bashku në hapat e ardhshëm për zbatimin e Marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në shkurt dhe mars të këtij viti, duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumcië serbe dhe të marrin pjesë në mënyrë konstruktive dhe të sinqertë në takimet e ardhshme në kuadër të dialogut”, thuhet në deklaratë.
Më herët gjatë ditës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje Prishtinës zyrtare që të shtensionojë situatën në veriun e Kosovës dhe të shmangë “hapat e njëanshëm destabilizues”.
Sekretari Stoltenberg tha se ka biseduar me shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas tensioneve të së premtes në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
“Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen tani në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si rrugë e vetme drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të shtensionojë situatën dhe mos të ndërmarr hapa të njëanshëm, hapa destabilizues. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, do të vazhdojë të ofrojë mjedis të sigurt”, shkroi ai në rrejtin Twitter.
Zoti Borrell duke theksuar mesazhin e zotit Stoltenberg tha se e vlerëson “bashkërendimin ndërmjet Misionit të BE-së për sundimin e ligjit dhe KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt”.
Grupe qytetarësh serb u përplasën të premten me policinë e Kosovës e cila do ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe të hyjnë në zyrat e tyre. Situata duket e qetë të dielën në veriun e vendit, ndërsa forca të policisë po qëndrojnë pranë ndërtesave të komunave Zveqan, Zubin Potok e Leposaviç. Zhvillimet e së premtes nxitën reagime të ashpra nga Beogradi zyrtar dhe diplomacia perëndimore.
Njohës të zhvillimeve politike në Kosovë vlerësojnë se krizat e njëpasnjëshme në veri dëmtojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
“Sikur edhe njëra palë edhe tjetra po kanë frikë të gjejnë zgjidhje, po kanë frikë nga një zgjidhje finale e cila mund të jetë pak e dhimbshme por do të jetë zgjidhje finale, dhe në vend të kësaj po duan që të zvarrisin zgjidhjen e të krijojnë situata dhe të shkaktojnë tensione të panevojshme dhe frustrim te qytetarët”, tha për Zërin e Amerikës analisti Rrahman Paçarizi.
“Ajo që po ndodhë aktualisht i dëmton marrëdhëniet e autoriteteve me popullatën lokale. Në vend që të ketë këmbëngulje për dialog politik, tani forca të rënda të policisë janë dërguar në komunat veriore, dhe kishte një përgjigje të banorëve lokal të cilët qëndruan para policisë dhe kërkuan përgjigje të caktuara të cilat duhet në fakt të jepen nga politikanët dhe jo nga policia”, tha analisti nga Mitrovica e Veriut, Miodrag Miliçeviç.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, urdhëroi të premten trupat serbe të viheshin në “gjendje të lartë gatishmërie” dhe lëvizjen e tyre drejt kufirit me Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Miodrag Miliçeviç nga organizata joqeveritare në veri të Mitrovicës, AKTIV, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se zgjidhja për ç’tensionimin e kësaj situate duhet të gjendet në dialogun politik.
“Në linjë me këtë tërheqja e njësive të posaçme të policisë, me duhet ta theksoj këtë, njësitë e posaçme duhet të kthehen në bazat e tyre dhe të zëvendësohen me forca të rregullta policore. Kjo në mënyrë të menjëhershme do të kontribuonte në zbutjen e krizës aktuale e cila fatkeqësisht ka rrezik të përshkallëzohet”, tha ai.
Diplomacia perëndimore përfshirë Shtetet e Bashkuara dënuan veprimet e qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri.
Njohësi i çështjeve politike, Rrahman Paçarizi i tha Zërit të Amerikës se reagimi ndërkombëtar është fatkeqësi që i ka ndodhur Kosovës nga pamaturia politike. Ai tha se Kosova nuk duhet as në mënyrë deklarative të dëmtojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, sepse dobëson pozicionin e vet në dialog dhe në planin ndërkombëtar në tërësi.
“Unë nuk pajtohem me ata patriotët e rinj të cilët mendojnë se Kosova duhet të sillet si shtet sovran që nuk ka nevojë për çdo gjë t’i pyes Shtetet e Bashkuara, apo nuk jam me ata që thonë se Kosova më në fund duhet të ecë me këmbët e veta. Nuk ka thuajse asnjë shtet në botë i cili është krejtësisht sovran, të gjitha shtetet e kanë të ndërlidhur funksionimin e sovranitetin me aleatë të tjerë. Në fund të fundit kështu funksionon bota me konstalacione, mos të ishin këto konstalacione Kosova nuk do të ishte e pavarur”, tha zoti Paçarizi.
Kryetarët e rinj të tri komunave të banuara me shumicë serbe, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kundërshtohen nga serbët dhe përfaqësuesit politik të tyre, të cilët bojkotuan këtë proces zgjedhor.
Udhëheqësit e Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës, kërkuan të shtunën që Serbia të pezullojë të gjitha negociatat me qeverinë e Kosovës.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shtuar përpjekjet për të ndihmuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë, ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë.
Kosova dhe Serbia u pajtuan në muajin mars në Ohër të zbatojnë një plan të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, por tensionet vazhdojnë të mbeten të larta. /VOA