Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako zhvilloi vizitë zyrtare në qytetin e Kroacisë, Zadar me ftesë të homologut kroat.
Bashkia e Durrësit ka marrëveshje binjakëzimi me Zadarin.
Gjatë vizitës, në takimin me kryebashkiakun, Branko Dukić, Sako bashkëbisedoi lidhur me vazhdimin e bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët, si turizmi, kultura apo zhvillimi urban, nisur edhe nga ngjashmëritë midis dy qyteteve.
Në këtë takim merrnin pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, Riza Poda, deputetja me origjinë shqiptare në parlamentin kroat, Ermina Lekaj Prljaskaj, konsulli i nderit i Shqipërisë në Zadar, Anton Dedaj, kreu i dhomës së tregtisë të Zadarit, Denis Ikić, drejtoresha e turizmit, Iva Bencun, drejtori i planifikimit dhe infrastrukturës, Darko Kasap, drejtoresha e administrimit të fondeve të BE, Stefani Mikulec Perković.
“Në diskutimet me palën kroate prezantova qytetin e Durrësit me të gjithë potencialin e tij turistik dhe ekonomik si dhe u ndala ne investimet kryesore strategjike apo edhe nismat kryesore në fushën e sportit, kulturës dhe rinisë”, u shpreh Sako në një postim në rrjetet sociale.
“Gjithashtu shkëmbyem eksperiencat tona lidhur me zbatimin e projekteve të BE-së si edhe vendosjen e partneritetit me Bashkinë e Zadarit për të aplikuar në thirrjet e reja në programet më të fundit të financimit të BE”, shtoi ajo.
Pas këtij takimi, kryebashkiakja dhe delegacioni që e shoqëronte vizituan qendrën historike të Zadarit./ata