Digjitalizimi nuk arrin të mposhtë traditën, sa i përket mënyrës se si shqiptarët paguajnë mallra apo shërbime të caktuara. Përpos të gjitha përpjekjeve për të përhapur sa më shumë pagesat elektronike, dhe përdorimit të kartave bankare gjatë vitit 2023 paraja jashtë bankave ka arritur në shifra rekord të dy dekadave të fundit.
Në fund të dhjetorit, jashtë bankave qarkullonin 393,5 miliardë lekë, nga 387,6 miliardë lekë që ishte në fund të vitit 2022, duke u rritur me afro 6 miliardë lekë.
Kjo metodë e pagesave e përqendruar pothuajse tek paraja në dorë, i hap shtigje informalitetit, e bën më të vështirë luftën ndaj pastrimit të parave duke ndikuar negativisht në ekonomi.
Një masë për të ulur përdorimin e parave cash, qeveria ka miratuar edhe ligjin për llogaritë bazike ku synohet që të gjithë pensionistët të kenë një llogari bankare ku do të marrin edhe pensionin. Kjo gjë duhet të arrihet brenda këtij viti tha kryeministri Edi Rama pak ditë më parë teksa kërkoi nga Banka e Shqipërisë të avancohet me inovacionin dhe digjitalizimin edhe në sektorin financiar.
Ulja e parasë cash është një nga objektivat e qeverisë edhe në axhendën e luftës kundër ekonomisë informale, pasi brenda vitit 2026 sipas dokumentit të reformave ekonomike do të merren masa ekstra për uljen e pagesave në cash në ekonomi.
Për të frenuar këtë fenomen Komisioni Evropian i ka rekomanduar Shqipërisë të vendosë një tavan për përdorimin e parave cash. Ky propozim mbështetet nga Shoqata e Bankave madje propozojnë që pagesat e lejuara në cash të mos jenë më të larta se 750 euro, ose sa paga mesatare që ka vendi.
Aktualisht në ligjin për procedurat tatimore vetëm bizneset janë të detyruara që pagesat mbi 150 mijë lekëve të bëhen në rrugë bankare, kurse për individët s’ka kufizime.
Ulja e cash-it në ekonomi sipas ekspertëve është domosdoshmëri, përsa kohë ky fenomen rrezikon ekonominë formale dhe luftën ndaj pastrimit të parave.
PARAJA JASHTË BANKAVE
Viti 2022 387,652 mld lekë
Viti 2023 393,556 mld lekë
Rritja 5,904 mld lekë