Kreu i Shërbimit Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB), Alesandr Bortnikov, e ka njoftuar presidentin Vladimir Putin se janë arrestuar të paktën 11 persona, përfshirë katër të përfshirë në sulmin e mbrëmshëm në një sallë koncertesh në rajonin e Moskës.
Sipas Kremlinit, Bortnikov ka theksuar se FSB-ja po punon për identifikimin e bazës së bashkëpunëtorëve të autorëve të sulmit terrorist në sallën e koncerteve Crocus City.
Komiteti Hetues i Rusisë bëri të ditur se katër autorë të sulmit të mbrëmshëm janë arrestuar në rajonin kufitar Bryansk derisa ishin drejtuar për në Ukrainë
Po ashtu edhe FSB-ja më herët tha se mësoi se një person tjetër po priste grupin në anën ukrainase të kufirit për të lehtësuar kalimin dhe për të siguruar mbulim.
“Në përpjekje për t’u arratisur, terroristët po shkonin drejt kufirit rusi-ukrainas. Kishin planifikuar të kalonin dhe kishin kontakte në anën ukrainase”, thuhet në njoftim.
Persona të armatosur hapën zjarr ndaj pjesëmarrësve të koncertit mbrëmë vonë, duke vrarë të paktën 93 persona dhe duke plagosur rreth 145 të tjerë. Sulmi ndodhi teksa rock grupi Picnik po përgatitej të performojë në sallën e koncerteve në perëndim të Moskës./aa