Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja zhvilloi një takim me përfaqësues të organizatës “Trashëgimia Kulturore pa kufij” (Cultural Heritage Without Borders – Albania).
Në qendër të takimit ishte ecuria e projekteve me këtë organizatë, të cilën Gonxhja e falënderoi për punën e shkëlqyer me në fokus rijetësimin e trashëgimisë kulturore për zhvillimin socio-ekonomik të zonave ku ato ndodhen.
“Diskutuam për restaurimin e monumenteve të dëmtuara, disa që nga tërmetet, si dhe për projekte konkrete siç është kthimi i ish-burgut famëkeq të Spaçit në një muze kujtese, ndërhyrjet në Kalanë e Krujës, ndihmë, konservime e shpëtime të tjera anembanë vendit dhe mundësi bashkëpunimi”, shkruan Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.
Gonxhja tha se “theksuam rëndësinë e shpejtimit të praktikave dhe koordinimit më të mirë mes ekipeve tona respektive”.
“Trashëgimia Kulturore pa kufij” ka zbatuar disa restaurime në monumente të ndryshme të trashëgimisë kulturore, në Shqipëri./ata